Qeveria ka parashikuar një rritje të konsiderueshme të pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit gjatë vitit 2027, në një kohë kur institucioni është përballur me kritika për mënyrën e ndërhyrjes së efektivëve gjatë protestave të vazhdueshme kundër kryeministrit Edi Rama.
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, gjatë prezantimit të projektbuxhetit në Kuvend, njoftoi se 3.3 miliardë lekë do të shkojnë për politikën e pagave, nga e cila do të përfitojnë mijëra punonjës të Policisë së Shtetit.
Sipas ministrit, 8,174 efektivë me gradën inspektor do të përfitojnë një rritje prej 23,600 lekësh, duke përfshirë edhe efektin e vjetërsisë në punë. Ndërkohë, për punonjësit me grada të tjera është parashikuar një rritje prej 15 mijë lekësh në muaj.
Demo e cilësoi këtë si rritjen më të lartë të pagave për efektivët e Policisë së Shtetit gjatë viteve të fundit.
Kjo rritje ishte paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama në daljen e tij ku njoftoi edhe shpërblimin prej 2500 eurosh për efektivët e përfshirë në protesta.
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar në Kuvend projektbuxhetin për vitin 2027, ku ka vënë theksin te rritja ekonomike si kusht për realizimin e politikave sociale dhe lehtësimin e barrës fiskale për qytetarët.
Rama deklaroi se nga 1 janari do të hiqet taksa e qarkullimit, ndërsa theksoi se mbështetja për pensionistët, familjet e reja dhe ulja e taksave mbeten objektiva të qeverisë.
“Këto nuk janë çështje dëshirash, dëshirën për të ulur taksat e ushqimeve bazë e kemi pasur qysh në krye të herës. Uljen e barrës së karburantit e kemi pasur qysh në krye të herës. Nuk do të kemi më që nga 1 janari taksën e qarkullimit. Dëshirën për të mbështetur pensionet, për familjet e reja që ta ndërtojnë jetën këtu e kemi pasur qysh në krye të herës. Nuk janë dëshirat që mbushin arkën e shtetit, apo që bëjnë një qeveri më të mirë. Është ekonomia që mbush arkën e shtetit, që shton rrugën e qeverisë.
Ndryshimi i asaj që do të bësh dhe asaj që je në gjendje të bësh është dallimi i premtimeve që mbeten në ajër dhe zotimeve që duan të përmbushen. Nëse përpiqesh t’u pëlqesh njerëzve pa bërë llogaritë, nuk bën gjë tjetër veçse u hap gropën që vjen më pas. Ata që nuk janë këtu sot (opozita), në historinë e vendit do të mbeten si hapësit e gropave. Ndërkohë që historia do të flasë për ne si ndërtuesit e Shqipërisë europiane. Ne kemi zgjedhur rrugën më të vështirë. Kemi zgjedhur rrugën e rritjes së të ardhurave pa i rënduar me taksa, duke besuar te zhvillimi, sipërmarrja dhe drejtësia e vendimeve tona”, tha Rama.
