Pas një periudhe protestash dhe mungesash në mësim, studentët kanë vendosur të rikthehen pjesërisht në auditore me qëllim shpëtimin e vitit akademik, i cili u rrezikua nga humbja e orëve të mësimit.
Megjithatë, revolta studentore do të vijojë me një formë të re organizimi. Studentët kanë vendosur që çdo të mërkurë të aplikohet bojkot total në të gjitha fakultetet e vendit, ditë në të cilën asnjë student apo pedagog nuk do të merr pjesë në procesin mësimor.
Ndërkohë, ditët e shtuna do të rezervohen për protesta kombëtare masive për të mbajtur presionin ndaj institucioneve.
Sindikata e Punonjësve të Universiteteve ka dalë në mbështetje të kësaj kauze, ndërsa u është kërkuar mirëkuptimi drejtuesve të arsimit të lartë për rregullimin e strukturës mësimore.
Studentët nëvizojnë se kushtet e vështira në fakultete dhe mungesa e bazës materiale për praktikat mbeten shqetësimet kryesore, duke e parë bojkotin e pjesshëm si mjet presioni për të siguruar arsim cilësor.
