Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, bëri të ditur se në projektbuxhetin e vitit 2027 janë parashikuar 50 milionë euro për rishikimin e skemës së Bonusit të Bebes, e cila synon të kthehet në mbështetje mujore për fëmijët deri në moshën 5 vjeç, që u përkasin familjeve me të ardhura të pakta.
Gjatë një aktiviteti në Korçë, ku u prezantua modeli i ri i përkujdesit për fëmijët, Spahiu tha se skema e re parashikohet të nisë zbatimin më 1 korrik 2027.
“Me Buxhetin 2027 parashikojmë rishikimin e Bonusit të Bebes, duke e kthyer në mbështetje mujore për fëmijët deri në 5 vjeç të familjeve me të ardhura të pakta”, u shpreh ministrja.
Ajo bëri të ditur gjithashtu se në projektbuxhet është parashikuar një fond prej 480 milionë lekësh për Fondin Social, me qëllim mbështetjen e bashkive për ngritjen dhe zgjerimin e shërbimeve sociale territoriale.
“Fondi social është një tjetër instrument i parashikuar në këtë projektbuxhet prej 480 milionë lekësh për të mbështetur bashkitë e vendit për ngritjen e zgjerimin e shërbimeve sociale territoriale”, deklaroi Spahiu.
Sipas ministres, për 28 institucionet e përkujdesit shoqëror janë parashikuar 1,4 miliardë lekë në buxhetin e vitit të ardhshëm.
Duke u ndalur te modeli i ri i përkujdesit për fëmijët, Spahiu theksoi se synimi është kalimi nga kujdesi institucional drejt shërbimeve të bazuara te familja dhe komuniteti.
“Me ligjin e ri për kujdesin alternativ dhe Planin e Garancisë për Fëmijët 2026–2030, po ndërtojmë një sistem që vendos fëmijën dhe familjen në qendër të politikave sociale”, u shpreh ajo.
Ministrja vlerësoi Korçën si një shembull të këtij transformimi, duke theksuar bashkëpunimin me pushtetin vendor, Bashkimin Europian dhe UNICEF-in për zgjerimin e modelit në të gjithë vendin.
“Çdo fëmijë meriton një familje. Çdo familje meriton mbështetje”, ishte mesazhi i ministres nga Korça.
Sipas Spahiut, mbrojtja e fëmijëve dhe mbështetja e familjeve duhet të jenë në qendër të politikave sociale. “Asnjë fëmijë pa përkujdesje. Asnjë familje pa mbështetje”, theksoi ajo.
