Ambasadori amerikan Eric Wendt ka zgjedhur të përshëndesë popullin shqiptar me marrjen e detyrës së tij, nëpërmjet një videoje ku më kryesorja mbetet sërish një mungesë shtrëngimi duarsh me kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Opozitës Sali Berisha.
Ambasadori e bën të qartë në video se në detyrën e tij si ambasador është I detyruar të takohet me liderë politikë, dhe kur vjen puna për të zgjedhur planet në videon e tij, ai e fillon tregimin me takimin me presidentin Bajram Begaj, jo në zyrën e këtij të fundit, por në një aktivitet mirëseardhjeje, të mbajtur nga ambasada për kreun e këtij misioni diplomatik.
Ambasadori thotë se e ka për detyrë diplomatike të takojë përfaqësues të qeverisë dhe zgjedh të nxjerrë në video ministrin e Kulturës Blendi Gonxhja, dhe ministren e Parlamentit, Erjona Ismaili.
Më pas, menjëherë, si përfaqësues të opozitës, ka zgjedhur të vendosë në video kreun e partisë Mundësia Agron Shehaj.
“E kam për detyrë të takoj dhe përfaqësues të tjerë” thotë ambasadori, duke nxjerrë në pamje krerët e katër besimeve fetare në Shqipëri.
A është duke na dhënë një mesazh ambasadori amerikan nëpërmjet përzgjedhjes së kujdesshme të këtyre pamjeve në video mesazhin e tij?
