Saimir Tahiri përgatit dokumentar për jetën dhe dënimin e tij, do të tregojë kush i ngriti “kurthin” për ta nxjerrë nga politika
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka vendosur të tregojë publikisht historinë e tij personale dhe politike, përfshirë edhe periudhën e përballjes me drejtësinë dhe dënimin që mori, përmes një dokumentari të posaçëm që është aktualisht në përgatitje.
Për realizimin e këtij projekti, Tahiri ka kontraktuar një grup privat produksioni, ndërsa dokumentari pritet të ketë një trajtim të gjerë të jetës së tij, karrierës politike dhe ngjarjeve që çuan në largimin e tij nga politika dhe më pas në dënimin nga drejtësia.
Dokumentari pritet të prezantohet edhe në kinema, ndërsa njëkohësisht do të publikohet edhe në portalin “Zëri”, të cilin Tahiri e financon në fshehtësi.
Në qendër të dokumentarit do të jetë vetë rrëfimi i ish-ministrit të Brendshëm. Tahiri pritet të flasë për versionin e tij të ngjarjeve, duke ngritur pretendimet se ndaj tij është ngritur një kurth me qëllim nxjerrjen përfundimtare nga politika.
Pjesë e dokumentarit do të jenë edhe avokati i tij, si dhe persona të tjerë që kanë njohuri mbi çështjen, procesin gjyqësor dhe zhvillimet politike të asaj periudhe. Përmes dëshmive dhe rrëfimeve të tyre, Tahiri synon të ndërtojë një version të plotë të historisë që, sipas tij, nuk është treguar deri më sot.
Vetë ish-ministri ka dhënë sinjalin e parë publik për projektin përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka paralajmëruar se ka shumë për të thënë.
“Disa histori i kam jetuar. Disa të tjera i kam dëgjuar të tregohen për mua. Do shihemi së shpejti. Ka kaq shumë për të thënë!”, shkruan Tahiri.
Mesazhi i tij lë të kuptohet se dokumentari nuk do të jetë vetëm një rrëfim autobiografik, por edhe një përpjekje për të dhënë versionin e tij mbi procesin që e çoi nga një prej figurave më të rëndësishme të qeverisë në përballjen me drejtësinë.
Në dokumentar pritet që Tahiri të ndalet edhe te personat dhe rrethanat që ai pretendon se kanë qenë pjesë e planit për ta goditur politikisht, ndërsa synon të shpjegojë se kush, sipas tij, i ngriti “kurthin” që përfundoi me dënimin dhe largimin e tij nga skena politike.
Dalja e dokumentarit pritet të shënojë edhe rikthimin më të fortë publik të Saimir Tahirit pas një periudhe të gjatë larg vëmendjes së politikës dhe medias.
