Një histori e jashtëzakonshme nga Spanja po tërheq vëmendjen e mediave dhe rrjeteve sociale, duke treguar se ndershmëria mund të shpërblehet në momentin më të papritur.
Jairo Ariza Leal, një punonjës pastrimi 30-vjeçar në qytetin Algarrobo, pranë Malagës, gjeti një zarf me mbi 12 mijë euro para të gatshme në një kosh plehrash, teksa po kryente punën e tij të përditshme më 14 nëntor.
Për të riun, kjo shumë ishte një pasuri e vërtetë. Ai përballej me vështirësi financiare, kishte borxhe për të paguar dhe, për më tepër, kontrata e tij e përkohshme e punës do të përfundonte më 30 nëntor.
Fillimisht, 30-vjeçari e mori zarfin në shtëpi. Ai pranoi se paratë mund t’ia kishin zgjidhur shumë probleme, por ndërgjegjja nuk e linte të qetë.
Pas disa orësh mendimesh, vendosi të bënte atë që e konsideronte të drejtë. Kontaktoi një përfaqësues të pushtetit vendor dhe ditën tjetër ia dorëzoi të gjitha paratë policisë.
Por historia nuk përfundoi këtu!
Pasi veprimi i tij u bë publik, kompania e pastrimit FCC, ku ai punonte me kontratë të përkohshme, i komunikoi se synonte t’i ofronte një kontratë të përhershme pune brenda disa muajve.
Lajmi ishte një surprizë e madhe për të riun, i cili shqetësohej se do të mbetej pa punë pak përpara festave të fundvitit.
Jairo tregoi se ishte rritur nga gjyshja e tij, e cila i kishte mësuar që në fëmijëri rëndësinë e së vërtetës dhe ndershmërisë. Pikërisht këto mësime e ndihmuan të merrte vendimin për të mos mbajtur paratë.
Ndërkohë, autoritetet vazhdojnë të mbajnë shumën e gjetur, në pritje që pronari i ligjshëm të paraqitet dhe të vërtetojë se paratë i përkasin atij.
Historia e 30-vjeçarit është kthyer në një shembull frymëzues, duke kujtuar se ndonjëherë shpërblimi më i madh nuk vjen nga paratë që gjen, por nga vendimet që merr.
Po ju, nëse do të gjenit 12 mijë euro në një kosh plehrash, çfarë do të bënit?
