Prokuroria e Fierit, ka lëshuar disa urdhërarreste për falsifikimin e dokumenteve, mashtrim me pasoja të rënda si dhe shpërdorim detyre, për 5 persona. Burime bëjnë me dije për SHEKULLI-n, se masat e sigurisë janë kërkuar nga prokurori Leonard Suçi, dhe janë miratuar me vendim të kryetarit të Gjykatës së Fierit, Noel Veizi.
Personat në fjalë janë përfshirë në mashtrim dhe falsifikim dokumentesh, në lidhje me një sipërfaqe toke që do të përdorej për fotovoltaike. Në mesin e personave të arrestuar është shtetasi Dilaver Shyti, ish-kreu i njësisë administrative Dërmenas, si dhe dy punonjëse të Agjensisë Shtetërore të Kadastrës Fjorelo Bida dhe Arbina Jaupaj. Masa e sigurisë arrest me burg është lëshuar dhe për noteren Anila Haxhiu.
Po ashtu masa e arrestit me burg është lëshuar dhe për Arben Vojën, aktualisht drejtor i spitalit të Fierit, ndërsa më herët ka qenë në krye të zyrës së Kadastrës në Fier. Burimet i thanë SHEKULLI-t, se Voja në kohën kur ka qenë në krye të Kadastrës, ka bërë tjetërsimin e pronës nga tokë shtetërore në private, dhe më pas iu është shitur investitorëve të fotovoltaikëve, për qëllime fitimi.
EMRAT E PERSONAVE TË PËRFSHIRË NË DOSJE
Dilaver Shyti
Masa e sigurisë: Arrest në burg.
Akuzat: Mashtrimi me pasoja të rënda; falsifikimi i dokumenteve në bashkëpunim; pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
2. Arben Voja
Masa e sigurisë: Arrest në burg.
Akuzat: Falsifikimi i dokumenteve nga personi që ka për detyrë lëshimin e dokumentit; shpërdorimi i detyrës në bashkëpunim.
3. Fjorelo Bida
Masa e sigurisë: Arrest në burg.
Akuzat: Falsifikimi i dokumenteve; shpërdorimi i detyrës në bashkëpunim.
4. Anila Haxhiu
Masa e sigurisë: Arrest në burg.
Akuzat: Falsifikimi i dokumenteve nga personi që ka për detyrë lëshimin e dokumentit, në bashkëpunim.
5. Arbina Jaupaj
Masa e sigurisë: Ndalimi i daljes jashtë shtetit.
Akuzat: Shpërdorimi i detyrës në bashkëpunim.
Masa shtesë: Sekuestrimi dhe bllokimi i pasaportës.
