Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Vlorës këtë të premte, ku një fëmijë 4-vjeçar ka ndërruar jetë, pasi është paraqitur pa shenja jete në spital.
Sipas informacioneve paraprake, familja e fëmijës, e cila banon në Palasë, e ka transportuar fillimisht me urgjencë drejt Orikumit, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të të miturit. Nga Orikumi, ambulanca e zonës e ka marrë fëmijën, por fatkeqësisht ai ka qenë tashmë pa shenja jete.
Burime nga spitali bëjnë me dije se ekzaminimi paraprak mjeko-ligjor nuk ka konstatuar shenja dhune apo dëmtime të tjera fizike, duke përjashtuar për momentin elementë të dyshimtë.
Sipas familjarëve, 4-vjeçari kishte rreth një javë që vuante nga simptoma shëndetësore, si temperaturë e lartë, të vjella dhe diarre, çka dyshohet se mund të ketë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së tij.
Autoritetet shëndetësore dhe strukturat përkatëse kanë nisur procedurat e verifikimit, ndërsa pritet që analizat dhe ekspertiza mjekësore të hedhin më shumë dritë mbi shkaqet e sakta të vdekjes.
Ngjarja ka shkaktuar dhimbje dhe tronditje në komunitetin lokal, ndërsa familjarët ndodhen në gjendje të rënduar emocionale.
