Një aksident i pazakontë rrugor është regjistruar në zonën e Laprakës në Tiranë, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe është përplasur me hyrjen e një hoteli.
Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin e automjetit, duke u përplasur me hyrjen e Hotel Relax, madje duke depërtuar pjesërisht edhe në ambientet e brendshme të tij.
Si pasojë e përplasjes janë shkaktuar dëme materiale si në automjet ashtu edhe në strukturën e hyrjes së hotelit.
Fatmirësisht, nga ky incident nuk raportohet për persona të plagosur rëndë, ndërsa në momentin e aksidentit nuk ka pasur persona pranë hyrjes së hotelit që të rrezikoheshin.
Pas mbërritjes në vendngjarje, autoritetet kanë kryer veprimet hetimore, duke mbledhur provat e nevojshme për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Më pas automjeti është larguar nga vendi i ngjarjes me karroatrec, ndërsa dëshmia e drejtuesit të mjetit pritet të ndihmojë në sqarimin e plotë të shkaqeve që çuan në këtë aksident.
