Kompania “Klar” SHPK në pronësi të biznesmenit të kafes “Segafredo”, Shkëlqim Beshiri raportohet se ndodhet në një situatë jo fortë të mirë financiare. Kështu bën me dije gazetarja Ola Xama, teksa tregon një rast të fundit me kompaninë që ka marrë leje nga KKT-ja për kullë 67 kate mbi tokë dhe 6 kate nëntokë.
“Sot rastësisht një i afërt i imi që ka rezervuar në një prej tyre, më tregoi një histori që të bën për të qeshur. Gjatë punimeve kompania kishte përdorur ujin e apartamentit të tij, fatura kishte shkuar 300 mijë lekë të vjetra. Për muaj me radhë nuk e kishte paguar dhe klienti e mëson pas një telefonate të një punonjësi të UKT-së, i cili kërkonte likuidimin e detyrimit.
Pasi sqarohet se apartamenti nuk ishte dorëzuar ende dhe fatura duhet të paguhej nga firma, UKT nuk e shqetëson më, por kompania Klar nuk kthen përgjigje dhe as paguan detyrimin.
Pasi ankesa shkon në nivelin e menaxherëve, ata pranojnë të njohin detyrimin, por kanë disa javë që shtyjnë shlyerjen sepse thonë se nuk kanë gjendje lekësh. Sot e kishin lajmëruar të kalonte për të marrë pagesën, por pasi kishte shkuar, punonjësja e firmës i kishte thënë të paraqitej një ditë tjetër sepse sërish nuk kishin para”, shkruan gazetarja Ola Xama.
Pra, një nga kullat më të larta të Tiranës do ta ndërtojë një kompani që ka tre javë nuk gjen dot 300 mijë lek të vjetra. Nadj, me të drejtë gazetarja Ola Xama shtron disa pyetje, për institucionet:
“Nga do i gjejë firma paratë për të ndërtuar 65 kate? Kush e mbron konsumatorin kur afatet vonohen dhe apartamenti nuk dorëzohet se kompania nuk ka kapital? Përse jepen leje ndërtimi për shoqëri që kanë financat 0 dhe bazohen te modeli i parashitjeve ku konsumatori humb dhe sipërmarrësi pasurohet?”
Një vit më parë, newsbomb.al raportoi ekskluzivisht se biznesmeni Shkëlqim Beshiri do të vendoste së shpejti një rekord të ri për Tiranën, duke ndërtuar kullën më të lartë, plot 67 kate mbi tokë dhe 6 kate nëntokë. Si askush tjetër, ai ka marrë lejen e Këshillit Kombëtar të Territorit për qiellgërvishtësen më të lartë të kryeqytetit.
I njohur në Tiranë që herët si Shkëlqimi i kafes “Segafredo”, Beshiri u shtri në pasuritë e paluajtshme dhe më pas me lulëzimin e ndërtimit në Shqipëri, por veçanërisht në kryeqytet dhe bregdet, kompania e tij nisi të operonte dhe si ndërtuese.
KKT-ja e drejtuar nga kryeministri Edi Rama ka miratuar lejen e ndërtimit për objektin: “Godinë banimi, shërbimesh dhe hoteleri 1, 2, 3, 33, 34, 59, 60, 62 dhe 67 kate mbi tokë, me 6 kate nëntokë”, me vendndodhje në Rrugën “Bulevardi i Ri”, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Klar” sh.p.k.
