Pas gati një muaji kërkimesh intensive, është gjetur trupi i pajetë i 30-vjeçarit Jurgen Karaj, i cili u aksidentua dhe më pas u mor nga rrjedha e ujit. Ngjarja e rëndë kishte ndodhur më 10 janar në zonën e Klos.
Sipas informacionit zyrtar, trupi i pajetë i të riut është gjetur rreth 30 kilometra larg vendit ku ndodhi aksidenti. Automjeti me të cilin udhëtonin Jurgen Karaj dhe shoku i tij, Andi Losha, kishte dalë nga rruga dhe kishte përfunduar në një përrua në fshatin Darsë të Klosit, duke u tërhequr më pas nga rrjedha e fortë e ujit.
Që nga dita e ngjarjes, kërkimet janë zhvilluar pa ndërprerje përgjatë rrjedhës së lumit Mat. Çdo ditë në terren kanë qenë të angazhuara dhjetëra forca të Batalionit të Tretë të Repartit të Këmbësorisë së Burrel, familjarë të Jurgenit, si dhe struktura të tjera të emergjencave.
Operacionit të kërkimit i janë bashkuar edhe ekipe nga Kosova, të cilat kanë ndihmuar me mjete dhe pajisje speciale, duke rritur shanset për lokalizimin e trupit. Gjetja e 30-vjeçarit i ka dhënë fund një muaji ankthi për familjen, ndërsa autoritetet vijojnë procedurat për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

