Skip to content

15 gratë më të kërkuara nga drejtësia shqiptare

Në botën e errët të krimit shqiptar, protagonistë nuk janë vetëm burrat. Gjatë 36 viteve të demokracisë janë përfshirë edhe gra, të cilat në disa raste janë bërë pjesë e ngjarjeve të rënda. Emisioni “Drit’hije”, sjell historitë e 15 grave më të kërkuara nga policia, të implikuara në vrasje, trafik droge, mashtrime financiare dhe trafik prostitucioni. Policitë në mbarë botën hasin vështirësi në zbulimin e rasteve kur organizatat kriminale rekrutojnë gra për krime të rënda, veçanërisht trafik droge dhe prostitucion. Shqipëria nuk ka pasur një “Griselda Blanco” që të konsiderohet si “bosja e krimit”, por disa gra kanë përfunduar në listën e personave më të kërkuar, të dënuara për vrasje, trafik droge dhe prostitucioni. Disa janë zbuluar, ndërsa të tjera, pavarësisht dënimeve të rënda, kanë arritur të arratisen. Akuzat ndaj tyre variojnë nga vrasjet dhe trafiku i drogës te mashtrimet dhe shfrytëzimi i prostitucionit. Një ndër rastet më të njohura është ai i “Shotës” nga Tropoja.

 

ZYLFIE HAKLAJ, “SHOTA E HAKLAJVE”

Zylfie Haklaj njihet si “Shota e Haklajve”. 63-vjeçarja, e dënuar me 25 vjet burgim për vrasje në rrethana cilësuese, mban vendin e parë në listën e Policisë së Shtetit si gruaja më e kërkuar. Në Tropojën e viteve 1997–2002, vrasjet ishin kthyer në një rutinë të frikshme. Ndër familjet më të njohura ishte ajo e Haklajve, nga fshati Kërrnajë. Pas ekzekutimit të katër vëllezërve, Zylfie Haklaj, sipas dosjes së prokurorisë, mëngjesin e 2 prillit 2002, vrau në mes të Bajram Currit Rasim Lumneshin dhe Ilir Gosturanin. Familja Haklaj dhe Lumneshi fillimisht kishin pasur marrëdhënie të mira. Sipas dosjes, situata ndryshoi kur Haklajt mësuan se Lumneshi ishte rreshtuar me kundërshtarët dhe dyshonin se ai ishte truri i disa prej ngjarjeve më të rënda ndaj tyre.

Sipas versionit të prokurorisë, Zylfie Haklaj, motra e Fatmirit, Halilit, Shkëlqimit dhe Yllit, zbriti në Bajram Curri me një furgon pasagjerësh. E gjatë mbi një metër e 90 centimetra, ajo, sipas akuzës, fshihte poshtë palltos një kallashnikov. Ajo iu afrua lokalit “Ervin”, rreth 50 metra nga komisariati. Sipas dëshmitarëve, Lumneshi vuri re një grua të gjatë që po afrohej. Haklaj nxori armën dhe hapi zjarr, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të Rasim Lumneshit dhe Ilir Gosturanit. Hysni Biba dhe kryetari i atëhershëm i Gjykatës së Tropojës, Kujtim Dusha, mbetën të plagosur. Ky është versioni i prokurorisë dhe gjykatës, i mbështetur në dëshmi. Vetë Zylfie Haklaj as nuk e ka mohuar dhe as nuk e ka pohuar vrasjen. Prej vitesh ndodhet në Suedi, ku ka marrë azil politik, ndërsa në Shqipëri mbetet e dënuar me 25 vite burg.

VALENTINA TUFINA, “TEZJA E KOKAINËS” OSE “KIMISTJA”

Valentina Tufina, e njohur si “tezja e kokainës” ose “kimistja”, është dënuar me 14 vite burg në Shqipëri për trafik droge dhe me 7 vite burg në Kosovë, dënim të cilin e ka shlyer në burgun e Lipjanit. Në nëntor të vitit 2014, ajo u arrestua në Fushëkuqe të Lezhës, në një laborator droge. Për shkak të njohurive si kimiste, Tufina përziente lëndën narkotike dhe garantonte cilësinë e saj, duke kombinuar formulat kimike për prodhimin e kokainës. Pavarësisht dënimit, prej vitesh ndodhet në kërkim nga policia shqiptare. Ende nuk dihen rrethanat se si fitoi lirinë. Në një intervistë për mediat në Kosovë, gjatë kohës që ishte në burg, ajo deklaroi se iu fut kësaj rruge për hir të fëmijëve. Trafiku i drogës ka përfshirë gra edhe në rrjete ndërkombëtare. Një prej tyre është Mirella Muhametllari, e cila prej më shumë se dy dekadash rezulton në arrati.

LEXO EDHE:  Veliaj shkarkoi drejtoren e kopshteve dhe çerdheve, Braçe: Erion, ke bërë gabim! Kthe pas vendimin

MIRELLA MUHAMETLLARI, 24 VITE NË ARRATI

Mirella Muhametllari, 52 vjeçe nga Skrapari, u kap në vitin 2002 në aeroportin e Rinasit duke trafikuar 10 kg kokainë. Ajo është dënuar me 10 vite burg, por që prej atij viti policia nuk ka asnjë gjurmë të saj. Avokati deklaroi se Muhametllari nuk kishte dijeni për drogën, ndërsa hetuesit zbuluan se ajo ishte pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të lëndëve narkotike. Nga trafiku ndërkombëtar i drogës, lista na çon te mashtrimet financiare, ku viktima janë edhe persona që kanë krijuar marrëdhënie besimi me autorët.

 

ADRIANA (ÇAKMAK) KALLAPODHI, 11 VITE NË ARRATI

Adriana Kallapodhi, 53 vjeçe nga Tirana, është dënuar me 16 vite burg në vitin 2015 për grabitje dhe mashtrim, pasi i ka marrë fqinjës rreth 800 milionë lekë të vjetra. Ajo ishte e martuar me një mjek nga Turqia, i cili u premtonte pacientëve në Tiranë ndërhyrje në klinika të specializuara turke. Fqinja u kishte besuar paratë për t’i ruajtur, por çifti u arratis së bashku me to. Që prej vitit 2015, policia nuk ka asnjë gjurmë të Kallapodhit. Një tjetër grua e kërkuar akuzohet se ka përdorur një skemë mashtrimi për të përfituar qindra mijëra euro.

ÇETINA (NEZAQET) ZAJMI (BOROVA), 13 VITE NË ARRATI

Çetina Zajmi, tashmë 69 vjeçe, është dënuar me 14 vite burg në vitin 2013 për mashtrimin e një ndërtuesi pallatesh, të cilit i ka marrë 400 mijë euro dhe më pas është zhdukur. Prej 11 vitesh policia nuk e gjen. Një tjetër emër në listë na çon te lidhjet me organizatat terroriste. Bëhet fjalë për Donika Çokun, e përmendur në dosje që lidhen me ISIS-in.

DONIKA ÇOKU, E KËRKUARA PËR LIDHJE ME ISIS

Donika Çoku është shtetase shqiptare, e lindur më 16 maj 1971, e dënuar për vepra penale që lidhen me terrorizmin. Ajo është nëna e Aldo Kobuzit, i cili u martua me shtetasen italiane Maria Giulia Sergio, të njohur si “Lady Xhihad”. Pas martesës, ajo u transferua me çiftin në Siri për t’iu bashkuar ISIS-it. Gjykata e Milanos e ka dënuar në mungesë për “Pjesëmarrje në grup terrorist”, duke e shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në shtator të vitit 2020, Policia e Shtetit në Shqipëri i dërgoi asaj dhe motrës së saj, Arta Çoku, formularët e OFL-së për vetëdeklarimin e burimit të pasurisë. Nga akuzat për terrorizëm, lista rikthehet te mashtrimet financiare. Këtë herë, në qendër është Bashkimi Europian.

LEXO EDHE:  Mbarojnë HALLET për 3 shenja të horoskopit! Nga 23 nëntori nis ndryshimi që prisnin

MIRELA SPAHIU, GRUAJA QË MASHTROI BE

Mirela Spahiu, 58 vjeçe nga Tirana, është dënuar me gati 10 vite burg për mashtrim në vitin 2018. Ajo kishte një organizatë jofitimprurëse në Tiranë, përmes së cilës përfitonte fonde nga Delegacioni i Bashkimit Europian. Nëpërmjet një skeme mashtrimi, Spahiu arriti të merrte 90 mijë euro, ndërsa bashkëshorti i saj rreth 50 mijë euro. Prej 8 vitesh ndodhet në kërkim nga drejtësia shqiptare. Mashtrimet financiare nuk janë të vetmet akuza në këtë listë. Disa prej grave janë dënuar edhe për vrasje. Një prej tyre është Lumije Hoxha.

LUMIJE HOXHA, “FANTAZMA”, VRASËSJA PA FOTO

 

Lumije Hoxha, 62 vjeçe nga Peshkopia, është dënuar me 25 vite burg për vrasje. Ajo është arratisur nga burgu përmes një lejeje daljeje vite më parë. Policia nuk disponon as fotografi dhe as të dhëna të tjera për të. Prej shumë vitesh vijon të jetë në arrati, duke mbetur për autoritetet një “fantazmë”. Në listat e policisë figurojnë edhe emra të tjerë të dënuar për ngjarje të ndodhura shumë vite më parë.

FLORESHA NDINO, E DËNUAR ME 23 VITE BURG

Me vendlindje në Drizë të Fierit, Floresha Ndino është dënuar për “rrëmbim personi”. Sot 60 vjeçe, ajo figuron ndër gratë më të kërkuara në vend. Edhe në rastin e saj, policia nuk disponon fotografi për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar nga ngjarja. Një tjetër grup akuzash lidhet me prostitucionin dhe trafikimin e personave, aktivitete kriminale për të cilat drejtësia shqiptare ka shpallur në kërkim edhe gra të tjera.

KLODIANA SHKOZA, “HIJA” E NJË TË KËRKUARE PREJ VITESH

46-vjeçarja nga Tirana është dënuar me 15 vite burg për shfrytëzim prostitucioni. Emri i saj figuron në listat e personave të kërkuar nga Policia e Shtetit, nën juridiksionin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, për ekzekutimin e dënimit. Rasti nuk ka pasur mbulim të gjerë mediatik dhe detaje të tjera mbi hetimin nuk janë bërë publike. As policia nuk disponon fotografi të saj në arkiv. Mes grave të kërkuara ka edhe shtetase të huaja. Njëra prej tyre është zviceriania Agnese Somma, historia e së cilës lidhet me një ish-efektiv të Shërbimit Informativ.

AGNESE SOMMA, ZVICERIANIA QË JOSHI SHISH

Policia shqiptare kërkon prej 11 vitesh zvicerianen Agnese Somma, tashmë 64 vjeçe, e dënuar në vitin 2015 me 8 vjet burg për mashtrim. Agnese Foure Maria Somma njihet si e dashura e ish-efektivit të Shërbimit Informativ G.R. Ajo rezulton se ka mashtruar edhe ish-drejtorin e SHISH-it në degën e Durrësit, E.D., si dhe disa biznesmenë. Në Shqipëri njihet me emrin Anjeze Fure. Pasi ka marrë shuma të konsiderueshme parash nga persona të ndryshëm, është larguar nga vendi, ndërsa procesi penal ndaj saj ka vijuar në mungesë. Lista vijon me një histori të lidhur me botën e biznesit dhe kompanitë e biznesmenit Francesco Becchetti.

LEXO EDHE:  E fundit! Edi Rama bën gati ndryshimin e qeverisë! Dalin emrat e atyre që ikin, dhe postet e mëdha që do merren

LILIANA CONDOMITTI, “BOSJA” 85-VJEÇARE

Mamaja e Francesco Becchettit, Liliana Condomitti, qëndron prapa dhjetëra kompanive të hapura nga i biri gjatë viteve të fundit.

85-vjeçarja figuron në listën e policisë si një nga gratë më të kërkuara, e dënuar me 8 vjet burg për pastrim parash. Një tjetër histori në këtë listë lidhet me trafikun ndërkombëtar të drogës. Këtë herë bëhet fjalë për një grua nga Patosi, të dënuar për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal.

AFËRDITA BRAHIMI, 9 VITE NË ARRATI

Afërdita Brahimi, 59 vjeçe nga Patosi, është dënuar në vitin 2017 me 13 vite burg. Ajo ishte pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që trafikonte kokainë nga Shqipëria drejt Turqisë dhe konsiderohej pjesë e rëndësishme e tij. Prej gati 9 vitesh ndodhet në arrati. Një tjetër histori lidhet me trafikimin dhe shfrytëzimin seksual të të miturave. Bëhet fjalë për Teuta Lalajn.

TEUTA LALAJ, TUTORJA E TË MITURAVE

Teuta Lalaj, 66 vjeçe nga Vlora, sipas vendimit të gjykatës, ishte pjesë e një rrjeti prostitucioni në Vlorë. Ajo strehonte në banesën e saj vajza nën moshën 18 vjeç, të cilat shfrytëzoheshin për prostitucion në favor të vëllait të saj. Lalaj është dënuar me 15 vite burg për trafikim të fëmijëve, ndërsa nuk ka asnjë gjurmë se ku ndodhet. Në këtë listë është edhe një emër që ka pasur një karrierë të gjatë brenda sistemit të drejtësisë, duke ngritur pikëpyetje mbi ndikimin e krimit në institucione.

ERJONA DAUPAJ, SEKSKERJA E KRIMIT

Erjona Daupaj akuzohet nga SPAK për korrupsion, ushtrim të ndikimit të paligjshëm dhe nxjerrje të sekretit hetimor. Ajo ka punuar për më shumë se dy dekada në sistemin e drejtësisë shqiptare, duke arritur deri në postin e oficeres së Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe kandidates për gjyqtare. Dosja e saj u zbardh përmes përgjimeve të aplikacionit të koduar Sky ECC dhe u dërgua për gjykim në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) në qershor të vitit 2026. SPAK e akuzon se ka marrë përfitime monetare në bashkëpunim me persona të tjerë për të manipuluar vendime gjyqësore. Gjithashtu, dyshohet se ka ndërhyrë te magjistratët për të lehtësuar pozitën e të pandehurve në dosjen “Toyota Yaris”, ku u sekuestruan 3.4 milionë euro në portin e Durrësit, si dhe në çështje të tjera. Daupaj akuzohet edhe për nxjerrjen e informacioneve konfidenciale të hetimeve te persona jashtë institucioneve të drejtësisë. Emri i saj figuron ndër gratë më të kërkuara nga policia dhe SPAK.

15 gra, 15 histori, një drejtësi që ende i kërkon.

Disa mund të kenë zgjedhur krimin, të tjera mund të jenë detyruar drejt tij nga rrethana që nuk i kontrollonin. Sot, të gjitha i bashkon i njëjti fat: mbeten në kërkim. Për policinë, janë ende “fantazma” të pakapshme.

Published inLAJMI