Kryeministri Edi Rama ka pranuar se Partia Socialiste ka bërë gabime gjatë qeverisjes, për të cilat, sipas tij, edhe është ndëshkuar.
Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS-së për Tiranën, Rama deklaroi se pavarësisht krizave dhe vështirësive, socialistët kanë ditur të ringrihen.
“Ne kemi dalë më të fortë nga tërmeti që na shembi një pafundësi shtëpish, nga pandemia që na ndali bashkë me gjithë botën, nga krizat e shkaktuara prej duarve të mbrapshta, por edhe nga ato që kemi shkaktuar vetë me gabimet tona”, tha Rama, ndërsa shtoi më tej se PS ia doli, sipas tij, edhe kur të tjerët menduan se ishte fundi i tyre.
Rama u ndal edhe te data 9 maj, kur do të mbahen zgjedhjet lokale, duke theksuar se për Tiranën do të vihet në lëvizje të plotë e gjithë forca e tyre udhëheqëse.
“Ne e dimë që fitorja nuk na pret ne, fitorja duhet marrë me punë, me përulësi, me kurajo dhe, mbi të gjitha, me avantazh mbi kundërshtarët”, përfundoi ai.
Edi Rama: Kemi bërë gabime, pa diskutim. Kemi pasur dobësi, pa diskutim. Kemi bërë edhe faje, për të cilat edhe jemi ndëshkuar, pa diskutim. Por ne kemi pasur gjithnjë diçka që na ka dalluar nga të gjithë të tjerët dhe që ne nuk duhet ta humbim kurrë, aftësinë për të nxjerrë mësim, për t’u ngritur dhe për të vazhduar përpara.
Ne kemi dalë më të fortë nga tërmeti që na shembi një pafundësi shtëpish, nga pandemia që na ndali bashkë me gjithë botën, nga krizat e shkaktuara prej duarve të mbrapshta, por edhe nga ato që kemi shkaktuar vetë me gabimet tona. Kemi dalë më të fortë, jo se ishim të pagabueshëm, por sepse nuk u dorëzuam asnjëherë, edhe përballë situatave kur mbase të gjithë menduan se ky ishte fundi ynë.
Sepse ne gjithmonë jemi përpjekur të kuptojmë çfarë duhet të bëjmë më mirë edhe pasi kemi fituar. Dhe kur të tjerët presin të vijnë zgjedhjet për të filluar të organizohen, ne fillojmë të organizohemi sapo zgjedhjet mbarojnë. Sepse ne e dimë që fitorja nuk na pret ne, fitorja duhet marrë me punë, me përulësi, me kurajo dhe, mbi të gjitha, me avantazh mbi kundërshtarët.
Dhe sot, kur dera e Europës, falë këtyre përpjekjeve, është e hapur dhe më pranë se kurrë, ne jemi këtu për të siguruar Shqipërinë dhe shqiptarët se ajo derë nuk do të mbyllet pa hyrë Shqipëria në të.
Kështu që, më 9 maj, nuk kemi një palë zgjedhje të tjera për të fituar, por kemi kryeqytetin për t’ua rikthyer plotësisht qytetarëve të tij, duke rivënë në lëvizje të plotë të gjithë forcën tonë udhëheqëse.
Dhe më 9 maj, në Ditën e Madhe të Europës, asgjë nuk është rastësi. Flamuri i Skënderbeut dhe i Ismail Qemalit do të valëvitet fitimtar, krah për krah me flamurin e Europës. Jo sepse do t’i fitojmë ne zgjedhjet, por sepse ne do të fitojmë për Tiranën dhe Shqipërinë, dhe Tirana dhe Shqipëria fitojnë vetëm me Partinë Socialiste. Faleminderit shumë! Me trëndafilin në dorë, kurajën në zemër dhe kthjelltësinë në mendje, askush, asgjë, asnjëherë, ne nuk na ndal.
