Një biznesmen në Tiranë është vënë në pranga nga autoritetet, ndërsa bashkëshortja e tij po hetohet në gjendje të lirë, pasi dyshohet se nuk u kanë paguar pagat disa punonjësve në subjektin e tyre privat.
Sipas informacionit paraprak, bëhet fjalë për pronarin e një parukerie, ku pas kallëzimit të pesë punonjëseve ka nisur operacioni policor. Në total, shuma e papaguar ndaj tyre përllogaritet rreth 20 250 euro.
Gjatë kontrolleve të kryera, autoritetet kanë ngritur edhe dyshime se pajisjet me të cilat ushtrohej aktiviteti në biznes mund të kenë qenë të kontrabanduara, çka ka çuar në thellimin e hetimeve.
Policia ka arrestuar shtetasin Besmir Aliko, 41 vjeç, ndërsa materialet procedurale janë referuar në Prokurori edhe për bashkëshorten e tij, Kaltrina Balaj, 38 vjeçe, ndaj së cilës ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.
Sipas burimeve, hetimi është fokusuar te denoncimi i pesë grave që pretendojnë se nuk kanë marrë pagesat për punën e kryer, ndërsa po verifikohen edhe dokumentacionet financiare të aktivitetit.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rastin dhe për të verifikuar nëse ka shkelje të tjera ligjore që lidhen me aktivitetin e biznesit.
