Skip to content

Protesta/ Ervin Demo thirrje qytetarëve

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të bashkohen kundër dhunës, pavarësisht bindjeve politike apo qëndrimit ndaj qeverisë. Në një mesazh në rrjetet sociale pas ngjarjeve të 28 Nëntorit në Tiranë, ai theksoi se siguria e qytetarëve, institucionet dhe e ardhmja e Shqipërisë janë interesa të përbashkëta që duhet t’i bashkojnë shqiptarët.

“Në 114-vjetorin e Pavarësisë, flamuri kombëtar na kujton se, përtej çdo dallimi politik, kemi një atdhe dhe një shtet të përbashkët”, u shpreh ministri.

Demo iu drejtua si qytetarëve që mbështesin qeverinë, ashtu edhe atyre që kërkojnë ndryshimin e saj, duke nënvizuar se dallimet politike duhet të shprehen përmes debatit dhe ballafaqimit të ideve. Sipas tij, dhuna dëmton të gjithë shoqërinë.

LEXO EDHE:  Kandidate për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 9 majit/ Demokratët propozojnë emrin e tyre, ja kush mori më shumë vota nga PD

“Dhuna nuk është as alternativë politike dhe as mjet demokratik. Tirana është e të gjithëve. Institucionet janë të të gjithëve. Shqipëria është e të gjithëve”, deklaroi Demo.

Ai deklaroi se punonjësit e Policisë u sulmuan me gurë, shkopinj, molotovë dhe mjete piroteknike. Sipas tij, sulmet kishin prekur edhe institucione shtetërore e biznese private, ndërsa ishte dëmtuar prona publike. Ministri përmendi edhe Teatrin e Kukullave si një nga objektet që nuk i kishte shpëtuar dhunës.

LEXO EDHE:  Flamujt kuqezi mbulohen nga tymi. Tensione të forta para Kryeministrisë, protestuesit gurë e “breshëri”

Demo rikonfirmoi se Policia e Shtetit do të garantojë të drejtën për protestë paqësore dhe se reagimi i saj ndaj akteve të dhunës duhet të jetë proporcional. Ai theksoi se përgjegjësia për shkeljen e ligjit vlen njësoj për të gjithë.

“Kushdo që ka ushtruar dhunë dhe ka shkelur ligjin do të përballet me të. Kjo vlen për çdo qytetar dhe për çdo punonjës policie”, deklaroi ministri.

LEXO EDHE:  E BUJSHME! ELISA ISHTE VETEM FILLIMI, EDI RAMA NXJERR ME EMRA RRADHEN KUSH DO PERJASHTOHET

Në përmbyllje, Demo nënvizoi se anëtarësimi në Bashkimin Europian është një objektiv kombëtar dhe një aspiratë e brezave të shqiptarëve, që nuk i përket vetëm një partie apo një qeverie.

“Le të debatojmë për mënyrën se si duam ta zhvillojmë vendin. Le të kemi bindje dhe vizione të ndryshme, por të respektojmë njëri-tjetrin dhe të refuzojmë dhunën e shkatërrimin”, ishte thirrja e ministrit

Published inLAJMI