Deputetja Elisa Spiropali ka komentuar zhvillimet e brendshme në Partinë Socialiste, duke shpjeguar rrjedhën që çoi në përjashtimin e saj nga kjo forcë politike.
Spiropali tha se narrativa se ajo po organizonte një puç për të larguar Edi Ramën, u ndërtua qëllimisht.
Megjithëse mohoi të ketë punuar kundër PS-së brenda vendit apo me partnerët ndërkombëtarë, Spiropali ishte më e drejtpërdrejtë kur iu përgjigj pyetjes së gazetarit Blendi Fevziu nëse PS ka vjedhur vota në katër zgjedhjet e fundit. Ajo nuk e mohoi, ndonëse u mundua ta minimizojë.
Pjesë nga intervista në emisionin “Opinion”:
Spiropali: U sajua një narrativë e tërë, për puçin e famshëm. Që në vend që të mbahej përgjegjësi për çështjet, u sajua një narrativë e tërë për puçin, që paska patur për qëllim të lartë largimin e kryeministrit, dhe në krye të këtij puçi paskam qenë unë.
Fevizu: Kjo është qesharake, të më thuash mua që Rama besonte se po bëje një puç për ta rrëzuar…
Spiropali: Nuk po them se e besonin dhe ata vetë. Marrëdhëniet e mija qoftë shtetërore, zyrtare, me partnerët ndërkombëtarë nuk janë përdorur asnjëherë për të njollosur, jo Shqipërinë, por as partinë time.
Fevizu: Sot kam veshur këtë kravatë se e kam dhuratë nga një miku im që nuk jeton më, Andis Harasani, që pati pak a shumë të njëjtin fat u përjashtua nga Partia Socialiste. Kaq false është PS brenda saj?
Spiropali: PS është një aset i këtij vendi, por në tërësinë e vet është një parti progresiste, a ka tendenca për të kthyer reminishenca të së shkuarës, unë besoj që ka.
Fevizu: A ka vjedhur vota Partia Socialiste?
Spiropali: Do t’i kthej përgjigje pyetjes duke nisur nga një analizë pak më e gjerë, nga protesta e Flamingove. Unë bëra oponencë brenda PS edhe publikisht kur votova nevojën për një marrëveshje të re për Shqipërinë, që ne të bënim një kapërcim për standarte. PS ta kapte këtë moment dhe ta shfrytëzonte, boll më me partinë shtet. Ky moment ishte i duhuri, nuk mund të shpresojmë më te dobësia e opozitës për të qëndruar në pushtet.
Fevziu: Pyetja ime ishte, a ka vjedhur vota PS?
Spiropali: Deformimi fillon nga sistemi elektoral, deformim të votës pa dyshim që ka, ka, sepse presioni i pushtetit është shumë i madh. Unë e kam thënë edhe në parlament, që kush humb në Shqipëri ndihet i tretur, largohet nga vendi.
Fevziu: A është financuar makina elektorale me para të krimit dhe korrupsionit?
Spiropali: Ka elementë të krimit, të korrupsionit, patjetër. Ndarja duhet të bëhet, Edi Rama ka përgjegjësinë për të parë problematikat dhe për t’i ndryshuar ato.
