Një grup studentësh, të rinjsh atdhetarë, profesionistësh dhe përfaqësuesish të diasporës kanë njoftuar themelimin e një force të re politike me emrin “Të Bashkuar për Shqipërinë”.
Nisma synon të mbështetet te drejtësia, meritokracia, transparenca dhe përgjegjshmëria, ndërsa ka nisur edhe mbledhja e firmave për krijimin e subjektit politik.
Partia e re politike “Të Bashkuar për Shqipërinë” pritet të nisë takimet me qytetarët në qytete dhe fshatra, me synimin për të prezantuar nismën dhe për të mbledhur firmat e nevojshme për krijimin e saj.
Lajmi është bërë i ditur nga përfaqësues të grupit nismëtar, të cilët deklaruan se iniciativa ka lindur nga një grup studentësh dhe është mbështetur edhe nga të rinj, pedagogë, profesionistë të fushave të ndryshme dhe përfaqësues të diasporës.
Në një deklaratë për mediat, një prej studenteve që përfaqëson grupin theksoi se nisma është e hapur për të gjithë qytetarët që besojnë në një Shqipëri të qeverisur mbi bazën e drejtësisë, meritokracisë, përgjegjësisë dhe transparencës.
“Ne, një grup studentësh së bashku me të rinj, atdhetarë dhe profesionistë të fushave të ndryshme nga qytete të ndryshme të Shqipërisë si dhe nga diaspora, deklarojmë sot me zë dhe me figurë themelimin e Partisë së Bashkuar për Shqipërinë. Një parti e hapur për këdo që beson se Shqipëria mund të qeveriset me drejtësi, meritokraci, përgjegjësi, transparencë në shërbim të popullit. Për 180 ditë mijëra të rinj, prindër, mësues dhe qytetarë kanë treguar se Shqipëria nuk është lodhur. Ajo është zgjuar dhe është e bashkuar. Ky zë u përket të gjithë atyreve që u bashkuan kërkesave të protestuesve. Partia të Bashkuar për Shqipërinë do t’ju afrojë atyre një rrugë kushtetuese drejt vendosjes së shtetit të së drejtës.
Prandaj ne nuk vijmë me një program të shkruar pas dyerve të mbyllura. Në javët në vijim do të jemi pranë jush me qytete dhe në fshatra si dhe kudo ku jetojnë bashkatdhetarët tanë. duam të bashkojmë zërat, përvojat dhe vullnetin e shqiptarëve për të ndërtuar së bashku një alternativë të re, për të bashkuar Shqipërinë, për t’i dhënë vendit drejtimin që meriton. Ne nuk bëjmë premtime. Ne vendosim standarte. Çdo angazhimi i yni do të ketë një objektiv të matshëm, një përgjegjës me emër, një kosto të llogaritur dhe një afat.
Do ta masim rregullisht, do ta publikojmë dhe do ta verifikojmë me ekspertë të pavarur. Kur nuk e arrijmë do ta themi i hapur, do ta shpjegojmë dhe pse do ta tregojmë dhe si do e korrigjojmë. Sepse besimi nuk kërkohet. Ai fitohet premtim pas premtimi, rezultat pas rezultati. Shqiptarët meritojnë një politikë që u nënshtrohet të njëjtave standarte që u kërkohet çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë. Përpara se të kërkojmë popullit tonë besimin, i vendosim vetes disa rregulla. Drejtues të zgjedhur me mandate të kufizuara, llogaridhënie
publike, asnjë privilegj për themeluesit dhe asnjë ndikim për donatorët. Kjo parti nuk do të bjerë prej e kultit të individit. Ju ftojmë të ndërtojmë një institucion ku asnjë udhëheqës të mos mund ta zaptojë apo ta përdorë për institucione vetiake. Ftojmë çdo shqiptar brenda dhe jashtë vendit të bashkohet. E ardhmja e Shqipërisë nuk do të ndërtohet nga një rreth i mbyllur. Do ta ndërtojmë së bashku të gjithë të bashkuar për Shqipërinë”, tha përfaqësuesja.
