Monika Lubonja, drejtoresha e Qendrës së Realizimit të Veprave të Artit pranë Bashkisë së Tiranës, i bëri thirrje qytetarëve që qytetarët që të mos dëmtojnë monumentet e figurave historike në Tiranë.
Thirrja e Lubonjës vjen në prag të festave të nëntorit pasi më datë 28 ditën e shtunë pritet të mbahet protestë mbarëkombëtare në kryeqytet.
Postimi i plotë i Monika Lubonjës:
Në prag të festave të Nëntorit, kur zemra duhet të na kthehet te historia, te sakrificat dhe te njerëzit që i dhanë këtij vendi emër, pavarësi dhe dinjitet, është e dhimbshme të shohësh pamje të tilla.
Përpara shtatoreve të Ismail Qemalit dhe Skënderbeut duhet të qëndrojmë me respekt, mirënjohje dhe krenari. Jo sepse ata ishin të pagabueshëm, por sepse historia e këtij kombi dhe rruga drejt lirisë mbajnë edhe emrat e tyre.
Të dashur protestues, e drejta për të protestuar është e shenjtë. Zëri juaj duhet dëgjuar, pakënaqësia juaj duhet shprehur. Por mos harroni se këto monumente nuk i përkasin një pushteti, një partie apo një kohe. Ato i përkasin historisë sonë, të gjithëve ne dhe brezave që do të vijnë.
Mos i mbuloni sytë e historisë sonë. Mos i plagosni simbolet që duhet të na bashkojnë.
Mund të kemi bindje të ndryshme, mund të mos pajtohemi për shumë gjëra, por të paktën të kemi një gjë të përbashkët: respektin për atë që na ka sjellë deri këtu.
Sepse një komb nuk e nderon historinë vetëm me festa dhe fjalime, por edhe me mënyrën se si kujdeset për të.
