Sot dhe nesër, Tirana bëhet qendra e diskutimeve për investimet dhe bashkëpunimin ekonomik mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në Pallatin e Kongreseve zhvillohet edicioni i dytë i Forumit të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, ku në fokus do të jenë mundësitë e financimit për bizneset e rajonit dhe integrimi i tyre në tregun europian.
Përgjatë dy ditëve, kryeqyteti do të mirëpresë investitorë, sipërmarrës dhe përfaqësues të institucioneve europiane e ndërkombëtare. Konferenca synon të forcojë bashkëpunimin ekonomik ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shteteve anëtare të Bashkimit Europian, si dhe të promovojë rajonin e Ballkanit Perëndimor si një destinacion tërheqës dhe konkurrues për investime.
Sesioni hapës i forumit nis në orën 09:15, ndërsa diskutimet do të përqendrohen në sektorët me potencial të lartë zhvillimi, si energjia, infrastruktura, transporti dhe ndërlidhja rajonale, turizmi, teknologjia dhe kapitali njerëzor.
Emrat që do të marrin pjesë në këtë aktivitet janë ish-presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, si dhe dy ish-kryeministrat italianë, Massimo D’Alema dhe Enrico Letta.
Një tjetër pjesë e rëndësishme e forumit do të jetë prezantimi i gjashtë startup-eve, nga një për secilin prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në diskutime do të përfshihen gjithashtu përfaqësues të fondeve të investimeve, Bankës Botërore, BERZH-it dhe Bankës Europiane të Investimeve.
Në ditën e dytë të aktivitetit, fjalën përmbyllëse do ta mbajnë kryeministri Edi Rama dhe komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos.
