Tiranë, 24 nëntor 2026 – Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka komentuar vendimin për përjashtimin e Elisa Spiropalit nga grupi parlamentar dhe forumet drejtuese të partisë, duke arsyetuar se kritikat e saj krijonin shpërqendrim për forcën politike.
Gjatë një interviste televizive, Klosi u shpreh se kjo vendimmarrje lidhet drejtpërdrejt me vullnetin e mazhorancës për të ruajtur përqendrimin e plotë në dy momente vendimtare që vendi dhe partia kanë përpara, ku prioriteti kryesor mbetet procesi i integrimit në Bashkimin Evropian, i ndjekur nga gara elektorale vendore që pritet të zhvillohet pas pesë muajsh.
Sipas sekretarit të përgjithshëm të socialistëve, një forcë politike e përgjegjshme që synon të vijojë shërbimin ndaj qytetarëve përmes qeverisjes dhe administrimit të pushtetit vendor, të cilin ai e vlerësoi si të suksesshëm dhe të konfirmuar nga vota, duhet të jetë tërësisht e fokusuar te sfida zgjedhore.
Në këtë kuadër, ai sqaroi se Asambleja Kombëtare, duke u mbështetur në statutin e brendshëm, ka të drejtën legjitime të shkarkojë nga pozicionet dhe forumet drejtuese elementë që vetë forumi vendos t’i largojë.
Klosi konfirmoi se dy kolegët e prekur nuk janë më pjesë e strukturave drejtuese të Partisë Socialiste dhe se ky vendim është tashmë publik, ndërsa nënvizoi se diskutimet e brendshme janë zhvilluar me dyer të mbyllura, pasi socialistët kanë zgjedhur të qeverisin Shqipërinë dhe jo t’u ofrojnë qytetarëve debatet dhe mendimet që kanë brenda partisë për njëri-tjetrin.
I pyetur nëse Spiropalit iu garantua e drejta për të shprehur qëndrimet e saj përpara vendimit, Klosi pohoi se asaj iu dha hapësira e plotë dhe se ajo ishte një nga folëset me kohën më të gjatë të diskutimit gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare.
“Vendimi ka të bëjë me vullnetin e forcës sonë politike për të qenë të fokusuar në dy momente shumë të rëndësishme që kemi përpara. Kryesorja është integrimi në BE dhe ky duhet të jetë fokusi i gjithë debatit dhe punës. Më pas, edhe gara elektorale që kemi pas 5 muajsh.
Për një forcë politike të përgjegjshme, e cila kupton se për të realizuar qëllimin e saj më të mirë, atë të shërbesës karshi qytetarëve, për t’ia dalë që të kemi mundësinë t’ju shërbejmë qytetarëve shqiptarë me mënyrën se si ne qeverisim se si administrojmë pushtetin vendor, kemi të gjithë dëshirën ta vazhdojmë ta ofrojmë këtë shërbim, që për mendimin tonë ka qenë i suksesshëm karshi qytetarëve.
Vota e ka dëshmuar këtë. Ne kërkojmë që të jemi të fokusuar te gara dhe vetëm në kuadër të këtij aspekti, Asambleja Kombëtare, bazuar në statutin tonë të brendshëm, forumet më të larta të partisë mundet të shkarkojnë nga pozicionet drejtuese dhe forumet drejtuese të partisë elementë që vetë statuti apo vetë forumi vendos për t’i larguar”, – tha Klosi në A2.
