Në GJKKO këtë të martë është duke u zhvilluar seanca e radhës gjyqësor ndaj çështjes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Veliaj nuk ka marrë pjesë në seancë por përmes avokatit i është drejtuar gjyqtarëve të posaçëm me një letër, ku kërkon që të vendosë të operohet për këmbën në një spital që do ai dhe familja e tij, dhe jo ku e përcakton Drejtoria e Burgjeve.
Në deklaratën e lexuar në gjykatë, Veliaj është shprehur se dëshiron të marrë pjesë në proces, por gjendja e tij shëndetësore nuk ia mundëson këtë.
“Me gjithë vullnetit tim për të marrë pjesë në seancë gjyqësore, e kam të pamundur për shkak të këmbës së thyer. Në vijim të shkresës suaj dhe të prokurorisë, mbrojtja ime do ju vërë në dispozicion disa shkresa shëndetësore.
Jam i ndërgjegjshëm kush më transferoi dhe kush do të vendosë për shëndetin tim. Nuk kërkoj as botox as mbjellje flokësh, as të zbardh dhëmbët por të operohem nga një mjek në spitalin që zgjedh familja ime. Nuk duhet të vendosë askush, kush më fut në narkozë. Ndaj kërkoj nga GJKKO të ndërhyjë dhe të marrë një vendim”, thuhet në letër.
