Katër persona, mes tyre edhe Ilir Shyti, kanë rënë në prangat e Policisë së Tiranës, pasi u kapën duke qarkulluar me armë zjarri në një automjet “Audi” të blinduar dhe me targa polake (PZ 6AC21) pranë stadiumit “Arena Kombëtare”, në kryeqytet.
Në mesin e të arrestuarve janë dy ushtarakë dhe një punonjës i Gardës së Republikës. Sipas njoftimit të Policisë, bëhet fjalë për shtetasit Erion Ramaj, 40 vjeç, punonjës i Gardës së Republikës, Leonard Murataj, 42 vjeç, ushtarak, dhe Ernest Selmani, 46 vjeç, ushtarak, si dhe Ilir Shyti, 28 vjeç. Dyshohet se dy ushtarakët dhe gardisti ishin truproja të Ilir Shytit, djalit të Roland Shytit të “Hakmarrja për Drejtësi”.
Gjatë kontrollit të automjetit tip “Audi”, në të cilin udhëtonin katër personat, policia gjeti një pistoletë në një çantë të zezë të vendosur në pjesën e pasme të makinës.Ndërkohë, gjatë kontrollit fizik të drejtuesit të automjetit, punonjësit të Gardës së Republikës, Erion Ramaj, iu gjet një tjetër armë zjarri pistoletë.
Përveç armëve, policia sekuestroi edhe një fenelinë të ngjashme me ato që përdoren nga efektivët e policisë, e cila dyshohet se mbahej nga 28-vjeçari Ilir Shyti.
Kush është Ilir Shyti, i biri i “Mustaqekuqit” të Hakmarrjes për DrejtësiIlir Shyti është djali i Roland Shytit, i njohur si “Mustaqekuqi”, një prej emrave të përfshirë në procesin gjyqësor të organizatës “Hakmarrja për Drejtësi”, dosje që për vite me radhë ka qenë ndër më të bujshmet e drejtësisë shqiptare. Roland Shyti u dënua gjatë këtij procesi, por më pas u shpall i pafajshëm.
Vitet e fundit, emri i tij është rikthyer në debatin politik, pasi opozita e ka akuzuar publikisht si person me ndikim të fortë në Bashkinë e Lushnjës, madje duke e cilësuar si njeriun që kontrollon vendimmarrjen në këtë institucion. Këto mbeten akuza politike dhe jo fakte të provuara nga drejtësia.
“Hakmarrja për Drejtësi”
Dosja e grupit “Hakmarrja për Drejtësi” (1992-1996), e cila iu nënshtuar procesit më të gjatë gjyqësor u pushua pasi nuk u vërtetua autorësia për 24 veprat penale.
Ndër akuzat që ngriti prokuroria ndaj personave të përfshirë qenë vrasja e drejtorit të burgjeve Bujar Kaloshi, vendosja e bombës te ish supermarketi “Vefa”, rrëmbimin e një nxënësi prindërve të të cilit ju kërkua në shkëmbim të lirisë së tij 200.000 Dollarë, vjedhja me armë e Bankës Kombëtare Tregtare në Vlorë, si edhe vjedhja e dhjetërave milionë lekë në banka dhe arka kursimi.
Këto akuza ishin fillimisht ndaj më shumë se 80 personave që u ndaluan pas vitit 1996, por numri përfundimtar i të akuzuarve arriti në 9.
Ata u arratisën të gjithë gjatë trazirave të vitit 1997 dhe dosja rifilloi të shqyrtohej në Gjykatën e Tiranës pas këtyre ngjarjeve.
