Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka përgënjeshtruar raportimet sipas të cilave sulmi me dron ndaj një anije ruse e ka pasur origjinën nga territori shqiptar.
“Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në këtë incident dhe territori i saj nuk është përdorur, e as nuk është vënë në dispozicion, për nisjen apo lehtësimin e një sulmi të tillë”, thekson MEPJ.
Duke i cilësuar këto pretendime pa prova, ministria i ka hedhur kategorikisht poshtë, ndërsa thekson se nuk ka asnjë përfshirje të Shqipërisë në këtë ngjarje dhe as të territorit të saj
“U bëjmë thirrje atyre që janë përgjegjës për përhapjen e tyre që të korrigjojnë informacionin, si dhe të tregojnë saktësi, kujdes të duhur dhe përgjegjshmëri kur raportojnë për çështje të një ndjeshmërie të tillë”, thekson MEPJ.
Sipas raportimeve të fundit anija ruse ka shpërthyer në bazën detare të Bengazit, në Libinë lindore, ndërsa autoritetet vendase dyshojnë se ajo mund të jetë goditur nga dronë.
