Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale më 23 nëntor, në Spitalin Rajonal Memorial Fier, për shkak të dëmtimit në kavilien e majtë. Lajmi është bërë i ditur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila sqaron se ndërhyrja është rekomanduar nga mjekët specialistë, por nuk përbën urgjencë mjekësore.
Sipas njoftimit zyrtar, problemet shëndetësore të Veliajt janë ndjekur nga stafi mjekësor i IEVP Fier që prej momentit të pranimit të tij në institucion, ku ai kishte raportuar një dëmtim në kavilie.
Ndërkohë, kujtojmë se më herët, avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, kishte ngritur shqetësimin për vonesën e ndërhyrjes kirurgjikale, duke pretenduar se operacioni ishte rekomanduar nga mjekët që rreth dy javë më parë, por ende nuk ishte kryer.
Njoftimi:
Në kuadër të dakordësimit për përfshirjen e mjekut specialist të përzgjedhur nga vetë pacienti, këtij të fundit, konkretisht mjekut A.G., i është krijuar mundësia të paraqitet më datë 18.11.2026 pranë IEVP Fier, me qëllim realizimin e një vizite mjekësore ndaj shtetasit E.V., si dhe njohjen e plotë me dokumentacionin dhe kartelën e tij shëndetësore.
Megjithatë, nga verifikimet e kryera rezulton se mjeku i përzgjedhur nga zoti Veliaj nuk është paraqitur pranë IEVP Fier në datën e sipërcituar, për të realizuar vizitën dhe shqyrtimin e dokumentacionit mjekësor.
Më datë 20.11.2026, në vijim të komunikimit dhe koordinimit me Spitalin Rajonal Memorial Fier, është konfirmuar planifikimi me prioritet i ndërhyrjes kirurgjikale, sipas rekomandimit të Shërbimit të Ortopedi-Traumatologjisë të këtij institucioni spitalor.
Nëpërmjet mjekut ortoped Dr. A.D., është përcjellë rekomandimi si më poshtë:
“Ndërhyrja kirurgjikale për pacientin z. Erion Veliaj parashikohet të kryhet ditën e hënë, datë 23.11.2026, në Spitalin Rajonal Memorial Fier. Për këtë qëllim, pacienti duhet të paraqitet në spital ditën e diel, datë 22.11.2026, për kryerjen e procedurave preoperatore (konsultat dhe analizat laboratorike).”
Në këtë kuadër, duke qenë se mjeku specialist i përzgjedhur nga pacienti nuk është paraqitur në konsultën e datës 18.11.2026, mbetet në vlerësimin e pacientit dhe të përfaqësuesve të tij mundësia e pranisë së këtij mjeku më datë 22.11.2026, gjatë kryerjes së procedurave preoperatore, dhe/ose më datë 23.11.2026, në ditën e planifikuar për ndërhyrjen kirurgjikale pranë Spitalit Rajonal Memorial Fier.
Drejtoia e Përgjithshme e Burgjeve vlerëson se faktet e renditura më sipër dëshmojnë angazhimin e vazhdueshëm institucional për të garantuar konsultat, ekzaminimet, vlerësimet specialistike dhe ndjekjen e nevojshme mjekësore për shtetasin E.V.
Nuk i takon institucionit tonë të komentojë motivet e zotit Veliaj dhe as të përfshihet në polemika publike me të. Megjithatë, e konsiderojmë të nevojshme të sigurojmë familjarët e tij dhe opinionin publik se zoti Veliaj ka marrë dhe do të vazhdojë të marrë të gjithë kujdesin e nevojshëm shëndetësor, me respekt të plotë për dinjitetin dhe të drejtat e tij.
Theksojmë se zoti Erion Veliaj është një ndër 4,227 personat e paraburgosur dhe të dënuar që administrohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në sistemin penitenciar. Ofrimi dhe garantimi i shërbimit të kujdesit shëndetësor për personat e privuar nga liria përbën një detyrim ligjor dhe një përgjegjësi të drejtpërdrejtë menaxheriale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, në përputhje me kompetencat e saj institucionale. Në zbatim të ligjit nr. 81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, kujdesi shëndetësor garantohet në radhë të parë nëpërmjet sistemit të sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, si dhe mekanizmave të tjerë të parashikuar nga legjislacioni në fuqi. Në këtë kuadër, DPB ka përgjegjësinë të sigurojë aksesin në shërbimet shëndetësore, konsultat me mjekët specialistë, ekzaminimet dhe trajtimet e nevojshme për çdo person nën administrimin e saj, pa dallim dhe në respekt të plotë të të drejtave dhe dinjitetit njerëzor.
Kufizimi i lirisë, i vendosur në përputhje me ligjin, nuk nënkupton në asnjë rast kufizimin e së drejtës për kujdes shëndetësor dhe trajtim dinjitoz. Ky është një detyrim ligjor dhe njerëzor, të cilin Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve do të vijojë ta përmbushë me përgjegjësi, për zotin Veliaj, ashtu si për çdo person tjetër që ndodhet në institucionet tona.
Lidhur me pretendimet për ushtrimin e një kontrolli në ambientet ku qëndron zoti Veliaj, sqarojmë se, pranë IEVP Fier, është zhvilluar një kontroll për verifikimin e elementeve të sigurisë në disa sektorë të institucionit, në kuadër të procedurave rutinë të punës dhe në zbatim të një planifikimi të mëparshëm. Ky kontroll ka përfshirë edhe sektorin e kujdesit shëndetësor, ku aktualisht qëndron zoti Veliaj, si pjesë e kontrolleve të ushtruara në disa dhoma të këtij sektori dhe jo vetëm në ambientin ku ai akomodohet. Theksojmë se bëhet fjalë për një procedurë standarde sigurie, të planifikuar dhe të zbatuar në përputhje me praktikat e punës së institucionit.
