Skip to content

Ibrahimaj: Kredi pa interes dhe mbulim deri në gjysmën e qirasë, ja si aplikohet tek platforma “Shtëpia jote”

Kuvendi miratoi ndryshimet në ligjin “Për strehimin social”, që zgjerojnë nga gjashtë në tetë programet e strehimit dhe sjellin instrumente të reja mbështetjeje për të rinjtë, familjet dhe kategoritë që kanë nevojë për ndihmë për të përballuar kostot e banimit.

Duke prezantuar nismën në Kuvend, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi se ndryshimet synojnë t’u përgjigjen nevojave të sotme për strehim, duke krijuar më shumë mundësi për blerjen e një banese dhe përballimin e kostos së qirasë.

“Me ndryshimet që paraqesim sot, zgjerojmë programet e strehimit nga gjashtë në tetë programe, duke shtuar dy programe të reja për strehimin e përballueshëm”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.

Një prej instrumenteve të reja është kredia me interes zero për blerjen e banesave me vlerë deri në 6 milionë lekë, për të rinjtë, studentët e masterit, profesionistët në fillim të karrierës dhe kategoritë e tjera që do të plotësojnë kriteret e përcaktuara në ligj.

Për të ilustruar efektin konkret të kësaj mbështetjeje, ministrja solli shembullin e një kredie prej 6 milionë lekësh, me afat shlyerjeje 30 vjet. Me një interes tregu prej 5%, kësti mujor do të ishte rreth 32 mijë lekë, ndërsa me interes zero zbret në 17 mijë lekë. Kjo përkthehet në një kursim prej 15 mijë lekësh në muaj ose 180 mijë lekësh në vit për familjen.

LEXO EDHE:  Horoskopi ditor, e mërkurë 18 nëntor 2026

Krahas saj, parashikohet edhe kredi me interes të lehtësuar 3% për banesa me vlerë deri në 20 milionë lekë, ku shteti do të mbulojë diferencën mes normës së interesit të tregut dhe normës 3%. Për kategoritë që plotësojnë kriteret, do të krijohen gjithashtu mundësi për përdorimin e garancive financiare për të mbuluar kontributin fillestar të kërkuar nga banka.

Një tjetër mbështetje e re u drejtohet studentëve, të rinjve dhe profesionistëve që largohen nga qytetet e tyre për studime ose punësim. Përmes programit të subvencionimit të qirasë, shteti do të mbulojë deri në 50% të vlerës së qirasë së pranueshme, sipas vlerave të miratuara nga këshillat bashkiakë dhe kritereve të programit.

“Për këto kategori ne kemi krijuar programin e posaçëm për subvencionimin e qirasë. Shteti do të mbulojë deri në 50% të qirasë së pranueshme, sipas vlerave të miratuara nga këshillat bashkiakë dhe sipas kritereve të programit”, u shpreh Ibrahimaj.

Për këtë program do të përdoret platforma “Shtëpia jote”, e cila është aktualisht në përpunim. Përmes saj, qytetarët do të mund të aplikojnë për subvencionimin e qirasë, të ndjekin online ecurinë e aplikimit dhe të marrin informacion mbi procesin. Platforma do t’u krijojë gjithashtu mundësi pronarëve të publikojnë banesat që ofrojnë me qira, duke lehtësuar gjetjen e një banese nga aplikantët.

LEXO EDHE:  Sali, po të bien pantallonat!” / Përplasje e egër në Kuvend, Rama kapet nga mikrofonat duke i thënë Berishës…

Ndryshimet ligjore parashikojnë edhe programin e qirasë me të drejtë blerjeje, përmes të cilit një pjesë e pagesës së qirasë mund të kthehet në vlerë të banesës dhe të llogaritet si pagesë për blerjen e saj.

Për financimin e programeve të reja parashikohet krijimi i Fondit për Strehimin dhe Kohezionin Social, ku do të bashkohen burime nga buxheti i shtetit, kontributet e sektorit privat, të ardhurat nga projektet dhe programet e strehimit, si dhe burime të tjera të ligjshme. Në këtë fond do të përfshihen edhe kontributet prej 3% për strehimin social, të mbledhura nga bashkitë.

Ministrja bëri të ditur se, sipas të dhënave të disponueshme, rreth 11.5 miliardë lekë nga kontributet e ndërtuesve për strehimin social rezultojnë të papërdorura në llogaritë e bashkive. Fondi i ri synon të mundësojë përdorimin e këtyre burimeve aty ku nevojat për strehim janë më të mëdha.

Një prej mekanizmave të parashikuar është edhe modeli 30-40-30, sipas të cilit 30% e ndërtesave ose lagjeve të reja do t’i dedikohen strehimit social, 40% strehimit të përballueshëm dhe 30% tregut të lirë. Ky model synon integrimin e familjeve përfituese në lagje të përbashkëta, me akses në shërbime dhe shkolla, duke shmangur izolimin e tyre.

LEXO EDHE:  Beatrix ndan lajmin e ndjere per te shtrenjten e saj

“Ne nuk duam të ndërtojmë lagje në të cilat ka vetëm një kategori njerëzish me një kategori të ardhurash. Ne nuk duam që familjet që përfitojnë nga strehimi social të jetojnë të izoluara”, theksoi ministrja.

Ndryshimet parashikojnë gjithashtu krijimin e Bordit për Strehimin Social dhe Strehimin e Përballueshëm, ndërsa bashkitë do të vijojnë të kenë rolin kryesor në identifikimin e nevojave dhe zbatimin e programeve të strehimit.

Ibrahimaj nënvizoi se një element i rëndësishëm i reformës është thjeshtimi i procedurave dhe kalimi drejt aplikimeve elektronike, duke shmangur kërkesën ndaj qytetarëve për dokumente që institucionet shtetërore i disponojnë tashmë.

“Qytetarët duhet të kenë mundësi të përfitojnë nga këto programe pa u përballur me procedura të gjata dhe të komplikuara. Prandaj po punojmë që aplikimet të bëhen të gjitha elektronikisht”, u shpreh ministrja.

Ndryshimet në ligjin për strehimin social janë pjesë e paketës së masave të qeverisë për vitin 2027, që synojnë të rrisin të ardhurat e qytetarëve dhe të ulin shpenzimet e tyre, duke lehtësuar përballimin e kostove të jetesës.

Published inLAJMI