Skip to content

Gati bonusi i fundvitit për pensionistët, buxheti 2026 do të ndryshojë sërish

Buxheti i shtetit për vitin 2026 pritet të pësojë një tjetër ndryshim përmes një akti normativ, ndërsa qeveria po përgatit rishpërndarjen e fondeve buxhetore dhe një paketë mbështetjeje financiare për pensionistët dhe kategoritë në nevojë, në prag të festave të fundvitit.

Burime për Ekofin.al bëjnë të ditur se qeveria është duke përgatitur ndërhyrjen e radhës në buxhetin e këtij viti, që do të realizohet ose përpara festave të nëntorit, ose në ditët e para të dhjetorit. Ndryshimet do të synojnë të rialokojnë fondet e pashpenzuara, në një kohë kur të dhënat më të fundit të financave publike, deri në fund të muajit shtator, tregojnë një nivel të lartë suficiti buxhetor.

Kjo situatë lidhet me faktin se një pjesë e fondeve të planifikuara për shpenzime gjatë vitit nuk janë përdorur sipas ritmit të parashikuar, duke krijuar hapësira për rishpërndarjen e tyre drejt zërave të tjerë buxhetorë.

Ndryshimi i pritshëm me akt normativ do t’i japë mundësi qeverisë të rishikojë shpërndarjen e fondeve në javët e fundit të vitit, duke orientuar një pjesë të burimeve financiare drejt mbështetjes sociale.

LEXO EDHE:  Ambasada Amerikane në Tiranë lëshon alrm sigurie për shtetasit e saj

Bonusi i fundvitit, 15 mijë lekë për pensionet deri në 20 mijë lekë

Një nga masat kryesore që pritet të përfshihet në ndërhyrjen e re buxhetore është financimi i bonusit të fundvitit për pensionistët.

Sipas informacioneve që Ekofin.al ka siguruar, qeveria pritet të ruajë të njëjtën skemë shpërblimi të aplikuar vitin e kaluar, duke diferencuar vlerën e bonusit sipas nivelit të pensionit mujor.

Konkretisht, pensionistët që përfitojnë pension mujor deri në 20,000 lekë pritet të marrin një bonus prej 15,000 lekësh, ndërsa ata që kanë pension mbi 20,000 lekë do të përfitojnë 10,000 lekë.

Në këtë mënyrë, mbështetja më e lartë financiare do të orientohet drejt pensionistëve me të ardhura më të ulëta, ndërsa bonusi do të shtrihet edhe tek ata që përfitojnë pensione mbi pragun prej 20 mijë lekësh.

LEXO EDHE:  Rama paralajmëron rritjen e taksave për apartamentesh bosh: Nuk mund të mbahen si depo pasurie

Skema pritet të ndjekë modelin e vitit të kaluar, ndërsa fondi total që do të vihet në dispozicion dhe detajet e zbatimit do të përcaktohen me vendimet përkatëse të qeverisë.

Paketë mbështetjeje edhe për invalidët dhe familjet me ndihmë ekonomike

Përveç pensionistëve, qeveria po përgatit edhe një paketë financiare për kategori të tjera të popullsisë që përballen me vështirësi ekonomike.

Burimet bëjnë të ditur se në këtë paketë pritet të përfshihen personat me aftësi të kufizuara dhe invalidët, si dhe familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike.

Ndërkohë, vlera e mbështetjes për këto kategori dhe kriteret konkrete të përfitimit mbeten ende për t’u përcaktuar.

Synimi është që një pjesë e fondeve të disponueshme në buxhet të përdoret për të ofruar mbështetje shtesë për familjet dhe individët me të ardhura të kufizuara, në përfundim të vitit.

Suficiti i lartë dhe fondet e pashpenzuara, në fokus të rishikimit të buxhetit

LEXO EDHE:  E enjtja sjell surpriza në dashuri dhe para! Horoskopi i 19 nëntorit zbulon cilat shenja do të kenë më shumë fat!

Ndërhyrja e re buxhetore vjen në kushtet kur financat publike kanë regjistruar suficit të konsiderueshëm gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026.

Suficiti buxhetor tregon se të ardhurat e realizuara kanë qenë më të larta se shpenzimet e kryera gjatë periudhës përkatëse. Megjithatë, ky nivel i lartë suficiti gjatë vitit reflekton vonesa në realizimin e shpenzimeve të planifikuara, përfshirë investimet publike.

Pikërisht fondet që nuk janë shpenzuar sipas programimit fillestar pritet të jenë në qendër të rishikimit të ri të buxhetit.

Përmes aktit normativ, qeveria do të rishpërndajë burimet financiare ndërmjet programeve dhe institucioneve buxhetore, duke përshtatur planin e shpenzimeve me nevojat dhe mundësitë reale të financimit deri në mbylljen e vitit.

Ndryshimi i pritshëm do të jetë një tjetër ndërhyrje në buxhetin e vitit 2026, ndërsa qeveria po përgatitet të mbyllë vitin financiar dhe paralelisht po diskuton projektbuxhetin e vitit 2027. /Marrë nga ekofin/

Published inLAJMI