Enea, djali që denoncoi nga oborri i Kuvendit dhunën e pretenduar të policisë në Komisariatin numër 1 të Tiranës pas protestës së djeshme, ka thirrur me urgjencë në spital deputetin e Partisë Mundësia, Agron Shehaj.
Sipas të riut dhe Shehajt, në kohën kur Enea ndodhej në një dhomë të spitalit për të marrë mjekime këtë pasdite, disa punonjës policie nga Komisariati 1 e kanë marrë dhe i kanë kërkuar të ndryshojë dëshminë, duke mbajtur jashtë avokatin e të riut.
“Erdha me urgjencë në Spital sepse më njoftuan se ndaj Eneas, të riut që denoncoi dhunën e policisë krah meje në Kuvend, po ushtrohej presion në mënyrë që ai të ndryshonte dëshminë. E paimagjinueshme! Nuk do ia dilni me presione! Do jepni llogari para drejtësisë. Nuk do ndalemi”, shkruan Shehaj.
I riu doli përpara medieve këtë drekë duke thënë se pasi e shoqëruan në Komisariatin numër 1 gjatë mbrëmjes së djeshme, e kanë dhunuar në ambientet e policisë.
Sipas tij pas shpërndarjes së protestuesve është shoqëruar së bashku me një shokun e tij në Komisariatin Nr. 1, ku fillimisht është dërguar në paraburgim dhe më pas është thirrur në një zyrë, ku sipas tij, është dhunuar nga Roki Pepa dhe Ervin Hasrama (shefi i Kom.1).
