Një letër e shkruar me dorë, e mbushur me dhimbje dhe revoltë, nga nëna e të ndjerit Enea Muçaj është bërë publike nga gazetarja Matilda Braho. Përmes katër faqeve, nëna e vogëlushit që humbi jetën në aksidentin tragjik të 3 majit, ku mbeti i vdekur edhe një fëmijë tjetër, kërkon drejtësi dhe ngre akuza të forta ndaj institucioneve.
Në letrën e saj, ajo rikthen në vëmendje momentet e fundit të jetës së fëmijëve, të cilët ditën e ngjarjes ndodheshin të ulur në trotuar duke ngrënë akullore. Sipas saj, bëhej fjalë për një hapësirë që familjarët e konsideronin të sigurt, ndërsa pretendon se drejtuesi i automjetit, Nikolla Radaçi, ishte denoncuar më herët nga banorët e zonës për rrezikun që paraqiste për fëmijët. Megjithatë, sipas saj, institucionet nuk kishin marrë masa parandaluese.
“Atë ditë humba gjënë më të shtrenjtë që kisha në jetë. Humbja e një fëmije është një dhimbje që nuk mund të përshkruhet me fjalë, por dhimbja bëhet më e rëndë kur një prind kërkon drejtësi, por nuk e gjen atë”, shkruan nëna e Eneas.
Një pjesë të rëndësishme të letrës ajo ia kushton edhe zhvillimeve të fundit në procesin gjyqësor, duke kundërshtuar çdo diskutim për amnisti, ulje dënimi apo lehtësim të përgjegjësisë për të pandehurin.
Nëna shpreh gjithashtu revoltën ndaj deklaratave të avokatit të Nikolla Radaçit, i cili ka pretenduar se klienti i tij nuk ka qenë nën efektin e alkoolit në momentin e aksidentit. Ajo ngre pikëpyetje mbi rrethanat e ngjarjes dhe mënyrën se si janë verifikuar provat, duke argumentuar se mungesa e alkoolit nuk e zbeh përgjegjësinë për atë që ndodhi.
Në letrën e saj, nëna e përshkruan Enean si një fëmijë plot jetë, të zgjuar dhe të shkathët, që kishte ëndrra dhe një të ardhme përpara. Ajo thekson se djali i saj nuk mund të trajtohet thjesht si një emër në një dosje gjyqësore.
“Enea im nuk është një numër në një dosje gjyqësore. Është djali im, një fëmijë që kishte ëndrra dhe një të ardhme të tërë përpara”, shprehet ajo.
Në fund, nëna e vogëlushit përsërit vendosmërinë për të mos u tërhequr nga kërkesa e saj për drejtësi, duke kërkuar që tragjedia që mori jetën e dy fëmijëve të mos harrohet dhe që përgjegjësit të marrin dënimin maksimal që parashikon ligji.
“Unë nuk do të ndalem sa të kem frymë!”, është mesazhi i fortë që përcjell përmes letrës së saj.
