Një sulm me armë zjarri në qendrën historike të Krakovit, në jug të Polonisë, ka shkaktuar gjashtë viktima dhe të paktën 15 të plagosur, mes tyre edhe dy efektivë policie, njëri prej të cilëve në gjendje kritike. Viktimat janë 4 gra e 2 burra. Lajmi është bërë i ditur nga një zëdhënës i shërbimit zjarrfikës, sipas të cilit të shtënat janë kryer nga një automjet në lëvizje në sheshin kryesor të Tregut. Sipas policisë, sulmi është kryer nga “një 25-vjeçar polak, i cili është ndaluar dhe ndodhet tashmë në paraburgim”.
25-vjeçari dyshohet se ka mbërritur në sheshin kryesor të qytetit me një automjet të zi Subaru, pa targa, dhe ka hapur zjarr në mënyrë të pakontrolluar ndaj kalimtarëve me një pushkë gjysmëautomatike AR-15. Sipas dëshmitarëve, personi ishte i veshur me uniformë kamuflazhi dhe dyshohet se ka përdorur një armë ushtarake.
“Ndodhesha në afërsi dhe dëgjova breshëri të shtënash. Gjithçka ndodhi pranë Sheshit të Tregut. Fillimisht dëgjova tre të shtëna, më pas, në një vend tjetër, të shtënat rifilluan”, rrëfeu një dëshmitar okular.
Autori i sulmit ka qëlluar edhe ndaj efektivëve të policisë që po tentonin ta arrestonin, përpara se të plagosej edhe vetë. Ndërkohë, është transportuar në spital.
“Një tragjedi e përshpërshkueshme”
“Ka viktima dhe të plagosur. U bëj thirrje njerëzve të kërkojnë strehim në vende të sigurta”, deklaroi më herët një prej efektivëve të policisë.
Ekipet e shpëtimit po punojnë pranë Bazilikës së Shën Marisë, ndërsa në shesh ndodhet edhe një helikopter i emergjiencave
Ministri polak i Drejtësisë, Waldemar Żurek, ka bërë thirrje për qetësi, duke i kërkuar popullatës të mos pengojë punën e ekipeve të shpëtimit:
“Ndaj dhimbjen e familjeve dhe të afërmve të viktimave të kësaj tragjedie të paimagjinueshme. Autori i sulmit ka mbetur i plagosur dhe është ndaluar. Shteti po funksionon”, ka shkruar ministri, duke siguruar se autoritetet do të bëjnë të mundur që autori“të mbajë përgjegjësi të plotë për këtë krim”.
Reagimet e para
Kryeministri polak, Donald Tusk, e ka cilësuar ngjarjen si një “sulm tragjik me armë zjarri” në një postim në platformën X:
“Ministri i Brendshëm më mban të informuar për situatën. Policia po heton rrethanat dhe të gjitha detajet e sulmit”, ka shkruar ai, duke shprehur “ngushëllimet e tij më të sinqerta për familjet dhe të afërmit e viktimave” dhe duke bërë “një apel të përzemërt për politikanët e të gjitha kampeve politike që të mos e shfrytëzojnë politikisht” këtë ngjarje.
“Një krim tronditës. Në emër të popullit ukrainas dhe personalisht, u shpreh familjeve dhe të afërmve të viktimave ngushëllimet e mia më të sinqerta. Nuk mund të ketë asnjë justifikim për këtë sulm dhe kemi besim se përgjegjësi do të dalë para drejtësisë”, ka shkruar në X presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. “Ukraina qëndron në solidaritet me Poloninë dhe popullin polak. Njerëzit kanë të drejtë të jetojnë të sigurt”, ka shtuar ai.
“Humbja tragjike e jetëve njerëzore në sulmin me armë zjarri në Krakov është një tragjedi, pasojat e së cilës do të ndihen shumë përtej kufijve të Polonisë”. Kështu ka shkruar në rrjetet sociale Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas.
“I kam shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta” ministrit të Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, shton Kallas.
“Mendimet e mia janë me viktimat, familjet e tyre dhe ekipet e shpëtimit”, thekson shefja e diplomacisë evropiane. “Në këtë moment zie, Polonia nuk është vetëm”.
Italia është “në krah të Polonisë në këtë moment të tmerrshëm”, ka deklaruar ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, duke shprehur “dhimbjen e tij të thellë për viktimat e sulmit të tmerrshëm me armë zjarri që ndodhi në Krakov”.
