Një çift bashkëshortësh kanë mbetur të plagosur mbrëmjen e sotme në fshatin Rrushkull të Sukthit, në Durrës. Ata raportohet se janë qëlluar me sëpatë nga djali i tyre, brenda shtëpisë, dhe kanë dëmtime të shumta në trupë.
Autori, dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe kushtet e rëndesës së fortë psikike, ka sulmuar babain dhe nënën me sëpatë.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë së Shtetit dhe ato të urgjencës mjekësore, të cilat kanë bërë të mundur transportimin e dy të plagosurve drejt spitalit. Gruaja është në gjendje të stabilizuar, kurse burri është nisur drejt Traumës.
Djali i çiftit është ndaluar menjëherë nga shërbimet e Policisë Durrës dhe është shoqëruar për t’u marrë në pyetje.
Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor është ngritur për rastin dhe nën drejtimin e Prokurorisë së qytetit bregdetar, pritet të zbardhen shkaqet dhe rrethanat që kanë çuar në këtë prag tragjedie në familjen durrsake.
Njoftimi i Policisë:
Durrës/Informacion paraprak-Në fshatin Rrushkull, Manëz, Durrës, përballë banesës së tij, shtetasi E. K., 37 vjeç, me probleme të shëndetit mendor, ka goditur me sende të forta prindërit e tij, shtetasin S. K., 72 vjeç, dhe shtetasen F. K., 69 vjeçe.
Shtetasja F. K. ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës, në gjendje të stabilizuar, ndërsa shtetasi S. K., i cili ka dëmtime në kokë, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është nisur drejt Spitalit të Traumës, Tiranë, për ndihmë më të specializuar.
Shtetasi E. K. është shoqëruar në ambientet e Policisë për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
