Bashkëshortja Sadete Fiku dhe djali i saj, Gazmir Fiku nuk kanë pranuar të marrin përsipër autorësinë për vrasjen e kryefamiljarit Urim Fiku e ndodhur në 3 nëntor në fshatin Godvi të Buqizës.
Seanca po zhvillohet prej dy orësh në Gjykatën e Dibrës për bashkëshorten dhe djalin e viktimës të cilët mësohet se kanë thënë: “Nuk e vramë ne, nuk kemi lidhje me ngjarjen”. Në vijim të seancës pritet që për ta të konfirmohet edhe masa e sigurisë.
Fillimisht gruaja dhe djali kishin deklaruar në polici se Urim Fiku ishte sulmuar nga një ari, por ekspertiza mjeko-ligjore e kryer në Tiranë zbuloi se ai kishte një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit në gjoks. Dyshimet e policisë u shtuan edhe pas konstatimit të dëmtimeve në kokë, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Sipas raportimeve, familjarët e kishin dërguar 61-vjeçarin në spitalin e Bulqizës, ku ai kishte mbërritur pa shenja jete. Ata nuk kishin pranuar që trupi i pajetë të përgatitej nga personeli i spitalit, duke deklaruar se, sipas traditës së tyre, këtë proces do ta kryenin vetë.
Sipas policisë, djali dhe e ëma dyshohet se e kanë vrarë atë duke e qëlluar me armë zjarri dhe mjete të forta prerës, ndërsa për të fshehur gjurmët kanë denoncuar sikur viktima ishte sulmuar nga një kafshë e egër, e dyshuar ari. Grupi hetimor ngriti dyshime mbi vërtetësinë e këtij pretendimi pas dëshmive kontradiktore të dhëna prej gruaja dhe djalit të viktimës.
Dyshimet u përforcuan kur ekspertiza mjeko-ligjore e policisë zbuloi në trupin e viktimës plagë të shkaktuar me armë zjarri në pjesën e gjoksit. Nënë e bir u arrestuan nën akuzuan e vrasjes së kryer në bashkëpunim dhe përpjekjes për të fshehur krimin. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri pistoletë, me fishekë, si dhe një gëzhojë pistolete, e gjetur në oborrin e banesës.