Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mbrëmjen e sotme në aksin Bajram Curri – Qafë Morinë, ku për pasojë ka humbur jetën një 34-vjeçar, ndërsa një tjetër person ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30, në vendin e quajtur Kasaj, ku automjeti ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga. Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i mjetit ka ndërruar jetë në vend, ndërsa pasagjeri është transportuar me urgjencë për ndihmë mjekësore.
Burime zyrtare bëjnë me dije se viktima ishte banues në Tropojë, ndërsa në automjet udhëtonte edhe një 38-vjeçar, i cili aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, i cili po punon për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e plota të aksidentit.
Ngjarja ka tronditur zonën, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes maksimal në akset malore, ku kushtet e rrugës shpeshherë bëhen të vështira sidomos në orët e mbrëmjes.
