Skip to content

Tirana blindohet për 28 Nëntorin, 2,500 policë në terren për protestën e studentëve

Rreth 2,500 efektivë policie do të angazhohen për protestën kombëtare të paralajmëruar për nesër, më 28 Nëntor, në Tiranë.

Tubimi pritet të mbledhë studentë dhe mbështetës të opozitës, ndërsa uniformat blu kanë përgatitur një plan të posaçëm masash për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri për protestën kombëtare të opozitës, e cila pritet të zhvillohet në kryeqytet në Ditën e Pavarësisë. Rreth 2,500 efektivë do të angazhohen në terren, në një organizim të gjerë që përfshin komisariatet e Tiranës, forcat speciale dhe strukturat e ndërhyrjes së shpejtë.

LEXO EDHE:  “Shqipëria Bëhet” 107 mijë firma në KQZ për referendum/ Lapaj: Ditë historike, kërkojmë

Protesta pritet të nisë rreth orës 10:00, ndërsa grumbullimi i qytetarëve parashikohet pranë Ministrisë së Arsimit ose Kryeministrisë.

Në gatishmëri do të jenë efektivët e gjashtë komisariateve të Tiranës, të mbështetur nga policia e Vorës dhe Krujës, forcat “Shqiponja” dhe efektivët e FNSH-së. Fokusi kryesor i sigurisë do të jetë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në Rrugën e Durrësit, ndërsa itinerari përfundimtar i protestuesve ende nuk është përcaktuar.

Sipas informacioneve të bëra publike, pjesëmarrja pritet të jetë më e ulët krahasuar me protestat e zhvilluara në mesin e tetorit. Megjithatë, policia po përgatitet për çdo skenar, pasi mbetet e paqartë nëse në radhët e protestuesve do të ketë persona të maskuar apo nëse tubimi mund të shoqërohet me përplasje me efektivët.

LEXO EDHE:  Prezantoi partinë “Të Bashkuar Për Shqipërinë”! Kush është e reja që synon politikën? Më parë punonte si…

Në sfondin e këtyre masave vjen edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila ka pranuar pjesërisht kërkesën për shfuqizimin e aktit normativ, duke hequr gjobat administrative për bllokimin e rrugëve. Ndërkohë, dispozitat e tjera që lidhen me nxitjen e dhunës dhe sulmet ndaj institucioneve mbeten në fuqi.

LEXO EDHE:  “Viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë. Për ta arritur këtë, sipas meje, duhen tri gjëra” deklaroi Marta Kos.

Kështu 28 Nëntori pritet ta gjejë Tiranën nën masa të shtuara sigurie, me mijëra efektivë në gatishmëri dhe me sytë e institucioneve të përqendruar te protesta e opozitës dhe studentëve.

Published inLAJMI