Është ndarë nga jeta Paolo Bulgari, i njohur si “mbreti” i bizhuterive të nivelit të lartë i cili e transformoi dyqanin e bizhuterive të themeluar në Romë në vitin 1884 nga gjyshi i tij Sotirios Bulgari, fillimisht i specializuar në argjendari, në një nga markat luksoze më të njohura në botë.
Lajmi i hidhur është bërë i ditur nga familjarët e tij. Në një deklaratë, të afërmit vlerësuan figurën e Paolo Bulgarit, duke kujtuar “staturën e jashtëzakonshme të Paolo Bulgarit, humanizmin e tij të thellë dhe talentin e tij si sipërmarrës që e donte Italinë dhe ishte ambasadori i saj në botë”.
Paolo Bulgari ishte një sipërmarrës i njohur dhe një mbrojtës i traditës së argjendarisë italiane. Në vitin 2019, ai themeloi në Romë një fondacion që mban emrin e tij, i cili ka si mision luftën kundër pabarazisë arsimore, mbështetjen e edukimit të të rinjve dhe përmirësimin e infrastrukturës urbane në zonat periferike të kryeqytetit italian.
I biri i Giorgio Bulgarit, Paolo ishte djali i tretë në familje. Së bashku me vëllezërit e tij, Gianni dhe Nicola, ai drejtoi kompaninë e themeluar nga gjyshi i tyre, Sotirios Bulgari, i cili hapi në Romë një dyqan të specializuar fillimisht në punimet e argjendit.
Nën drejtimin e tyre, Bulgari u shndërrua në një simbol të luksit italian, duke u dalluar për krijimet e frymëzuara nga kultura, historia dhe arkitektura e Romës së lashtë. Lidhja e markës me kryeqytetin italian mbetet e mishëruar edhe në butikun e saj historik në Via Condotti, i cili ndër vite ka mirëpritur yje të kinemasë botërore, personazhe të njohur dhe anëtarë të familjeve mbretërore.
Mes emrave të njohur që kanë qenë klientë të shtëpisë së famshme të bizhuterive janë Elizabeth Taylor dhe Richard Burton, Anna Magnani, Audrey Hepburn, Ingrid Bergman dhe Marilyn Monroe.
