Një aksident i rëndë është regjistruar mesditën e sotme në aksin rrugor Shkodër–Vau i Dejës, ku një automjet ka përfunduar në ujë pranë urës së Spatharit, duke shkaktuar panik te drejtuesit e tjerë të mjeteve dhe banorët e zonës.
Sipas informacioneve paraprake, mjeti ka dalë nga rruga për arsye ende të paqarta dhe ka rënë në ujë, ndërsa rrethanat e sakta të ngjarjes mbeten të paqarta. Aktualisht nuk ka të dhëna zyrtare nëse në automjet ndodheshin persona të tjerë apo nëse ka të lënduar.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, zjarrfikësja dhe ekipet e emergjencës, të cilat po punojnë për nxjerrjen e mjetit nga uji dhe për verifikimin e situatës.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa pritet që në orët në vijim të ketë informacion zyrtar lidhur me gjendjen e personave të përfshirë dhe dinamikën e plotë të ngjarjes.
