Kryeministri Edi Rama shfaqet i bindur se Partia Socialiste do ta fitojë sërish Bashkinë e Tiranës, por ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme vendore, këtë herë ende nuk ka një emër për t’u prezantuar qytetarëve, edhe pse nga gara elektorale e ndajnë vetëm pesë muaj.
Gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste të Tiranës, të zhvilluar këtë të shtunë në Akademinë e Arteve, në prani të ministrave, deputetëve dhe drejtuesve të strukturave socialiste, Rama foli për sfidat e kryeqytetit dhe nevojën për të rikuperuar kohën e humbur.
“Si do ta rifitojmë kohën që humbi Tirana në këto dy faza, si do ta rrisim volumin e investimeve, si do ta krijojmë shtresën e re zhvillimore, si do t’i adresojmë nevojat për shkolla dhe qendra shëndetësore në një Tiranë që rritet pa pushim”, u shpreh Rama.
Megjithatë, ndërsa renditi problemet që kërkojnë zgjidhje, kryeministri nuk dha një përgjigje për çështjen që lidhet drejtpërdrejt me drejtimin e ardhshëm të kryeqytetit, kush do të jetë kandidati socialist për Bashkinë e Tiranës?
Nëse në të kaluarën kreu i socialistëve ishte ndër të parët që niste përgatitjet për zgjedhjet lokale, duke prezantuar kandidatët shumë kohë përpara, këtë herë situata është ndryshe. Siguria për fitoren nuk mungon, por emri i atij që do ta realizojë atë vazhdon të mbetet i panjohur.
Pavarësisht kësaj paqartësie, Rama nuk shfaqi asnjë dyshim për rezultatin e ardhshëm elektoral.
“PS është partia që do ta fitojë Tiranën dhe Shqipërinë sepse është rruga nga kalon bashkimi me Europën”, tha Rama.
Por, ndonëse në deklaratat publike Rama shfaqet i sigurt për një tjetër fitore në kryeqytet, situata politike brenda socialistëve të Tiranës nuk duket aq optimiste. Kjo edhe për shkak të përplasjes mes kryeministrit dhe kryebashkiakut Erion Veliaj, një figurë që ka peshën e tij elektorale në Tiranë.
Kështu, pesë muaj para zgjedhjeve, Rama duket se e ka të qartë fituesin, por jo ende kandidatin. Një situatë jo fort e zakonshme për një lider që në garat e mëparshme ka preferuar t’i nxjerrë herët në fushë emrat e tij, ndërsa këtë herë kërkon të përcjellë sigurinë e fitores përpara se të bëjë të ditur se kujt do t’ia besojë garën për Tiranën.
