Skip to content

Hetoni Ramën!

Përplasja mes kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe kryeministrit Edi Rama po merr përmasa të reja, duke u zhvendosur tashmë edhe në Kuvendin e Shqipërisë.

Përmes një deklarate publike këtë të mërkurë, më 11 nëntor, Veliaj ka njoftuar se i është drejtuar zyrtarisht kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, duke kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për presionet dhe kërcënimet që pretendon se i janë ushtruar nga kryeministri Edi Rama, përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.

Në qendër të përplasjes është takimi i zhvilluar në burgun e Fierit mes Veliajt dhe Gogut, gjatë të cilit kryebashkiaku pretendon se ministri i ka përcjellë mesazhe dhe ultimatume politike në emër të Ramës.

Por deklarata e fundit përmban edhe një element të ri: kërkesën për ruajtjen e menjëhershme të provave dokumentare dhe audiovizive.

Kjo kërkesë rikthen në vëmendje informacionet e qarkulluara më herët se biseda mes Veliajt dhe ministrit të Drejtësisë në burg mund të jetë regjistruar.

LEXO EDHE:  Dyshohet për vjedhjen e miliona dollarëve, Arrestohet në Beograd ish-ministri i Ekonomisë së Vuçiçit!

Përmes referimit ndaj provave audiovizive, Veliaj u jep peshë aludimeve për ekzistencën e një materiali të mundshëm regjistrues të takimit, megjithëse në deklaratën e tij nuk konfirmon shprehimisht se disponon një përgjim apo regjistrim të bisedës me Gogun.

Ekzistenca e një materiali të tillë dhe përmbajtja e tij nuk janë konfirmuar zyrtarisht.

Në deklaratën e publikuar në rrjetet sociale, Veliaj kërkon që Kuvendi të hetojë nëse transferimi i tij nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit dhe kushtet e paraburgimit janë përdorur si instrumente presioni për ta detyruar të pranonte organizimin e protestave në Tiranë dhe të jepte dorëheqjen nga mandati i kryetarit të bashkisë.

Ai shprehet se është i gatshëm të dëshmojë nën betim përpara Kuvendit, të përballet me ministrin Toni Gogu dhe të paraqesë çdo provë që disponon.

LEXO EDHE:  Situata del jashtë kontrrollit në Rrugën e Arbërit/ Kamioni aksidentohet rëndë, ndodh…

Veliaj kërkon gjithashtu që kryeministri Edi Rama t’i nënshtrohet të njëjtit standard llogaridhënieje.

Kërkesa i është drejtuar pikërisht shumicës parlamentare socialiste, pjesë e së cilës është edhe vetë kryebashkiaku në aspektin politik.

Sipas Veliajt, kontrolli kushtetues mbi qeverinë nuk mund të kushtëzohet nga përkatësia politike e personave që duhet të japin llogari.

Ai ka njoftuar se për pretendimet e tij ka vënë në dijeni edhe Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, si dhe trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri.

Përplasja mes Ramës dhe Veliajt u bë publike pas vizitës së ministrit Toni Gogu në burgun e Fierit më 30 tetor.

Veliaj pretendon se gjatë takimit i janë përcjellë kërkesa për të hequr dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe për të pranuar përgjegjësi lidhur me protestat në kryeqytet.

LEXO EDHE:  Ja çfarë kam parë në dosje

Nga ana tjetër, ministri Gogu e ka konfirmuar zhvillimin e takimit, por ka mohuar kategorikisht se i ka përcjellë kryebashkiakut kërcënime apo ultimatume politike.

Sipas versionit të ministrit, vizita kishte për qëllim njohjen me kushtet e trajtimit të Veliajt në paraburgim dhe shqetësimet e ngritura nga mbrojtja e tij.

Tashmë, përmes kërkesës drejtuar Taulant Ballës, Veliaj kërkon që pretendimet dhe rrethanat e takimit të bëhen objekt i një hetimi parlamentar, ku të administrohen edhe provat e mundshme audiovizive.

Kjo e vendos shumicën socialiste përpara kërkesës për të hetuar pretendime që prekin drejtpërdrejt kryeministrin dhe ministrin e Drejtësisë.

Mbetet për t’u parë nëse Grupi Parlamentar Socialist do ta marrë në shqyrtim kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor dhe nëse do të ketë një verifikim zyrtar për ekzistencën e regjistrimeve të mundshme të takimit në burgun e Fierit. /

Published inLAJMI