Një ngjarje e rëndë është zbuluar të dielën në mbrëmje, më 22 nëntor, në zonën Galaneika të Lamias, në Greqi. Një 58-vjeçar u gjet i pajetë në banesën e tij, pasi të afërmit e kishin kërkuar prej disa ditësh.
Sipas vlerësimeve paraprake, burri kishte ndërruar jetë rreth një javë më parë. Ai jetonte me gjashtë qen, të cilët, pasi kishin mbetur për ditë të tëra pa ushqim, kishin kafshuar trupin e pajetë të pronarit, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në fytyrë dhe qafë.
Prania e kafshëve agresive e bëri të vështirë ndërhyrjen e policisë dhe ekipeve të shpëtimit. Për nxjerrjen e trupit u organizua një operacion i posaçëm, ku morën pjesë një trajner qensh, veterinerë dhe shërbimet bashkiake. Kafshët u qetësuan dhe u larguan në mënyrë të sigurt.
Sipas shpjegimit të ekspertëve mjeko-ligjorë, raste të tilla, megjithëse të rralla, janë të dokumentuara dhe mund të ndodhin kur kafshët mbeten të mbyllura për një kohë të gjatë pa ushqim.
Dëmtimet e shkaktuara prej tyre nuk nënkuptojnë se kafshët kanë shkaktuar vdekjen e pronarit. Shkaku i saktë i vdekjes së 58-vjeçarit pritet të përcaktohet nga autopsia mjeko-ligjore.
