Euronews Albania sjell detaje te reja nga dosja e organizatës kriminale Çopja-Çela, qe SPAK çoi për gjykim pak ditë më parë në GJKKO.
Nga zbërthimi i bisedave në Sky Ecc, Ervis Çela nga Peqini, personi që shikoni në foto, ka dyshime se gjatë qëndrimit në Paraguai ka arritur të korruptojë autoritetet vendase për lehtësimin e trafikut ndërkombëtar të kokainës.
Në vijim të kësaj bisedë Ervisi shkruan Francit: “…Jam i mbrojtur me shtet ktu…Nuk e kam hall fare ktu…Komandantin e përgjithshëm të policisë i jap rrogë mujore…Ministrin e antidrogës i jap rrogë. 3/4 gjykatësve të fortë i jap rrogë….”
Ervis Çela rezulton nga letërporositë e mbërritura nga autoritetet paraguajane se gjatë qëndrimit në këtë shtet në zonën e Aguilar ka përdorur pasaport/identitetin e rremë si Joze Medardo Rodriguez Aguilar, me kombësi Ekuadoriane.
Në dosje del dhe bashkëpunimi me një shtetas brazilian i identifikuar si Clayton Santos Lima për sigurimin dhe trafikimin drejt Europës të tonelatave të kokainës.
SPAK thotë se në Paraguai ka udhëtuar dhe qëndruar edhe një prej vëllezërve të Ervis Çelës, Ardiani si dhe ka shkuar disa herë edhe Fadil Balla i njohur dhe me emrin Julian dhe nofkën ‘Shijaksi’. Ky i fundit njihet dhe si pronar i resortit “Ajman” i sekuestruar nga SPAK dhe aktualisht është në kërkim ndërkombëtar si pjesë e kësaj organizate kriminale.
Në dosjen e SPAK thuhet se vetëm në një muaj organizata gjeneroi/mblodhi 150 mln euro dhe priste dhe 40 te tjera ndërsa në harkun kohor të 2 viteve kane qarkulluar mbi gjysëm miliard euro.
Gjithashtu nga komunikimet e kryera në aplikacionin Sky ECC ndërmjet Renato Musaku dhe Petrit Lakatos në datat 09.11.2020 deri në 07.12.2020 janë gjeneruar/grumbulluar shuma monetare 151.380.000 euro dhe priteshin te grumbulloheshin dhe 40.000.000 euro të tjera.
Ka rezultuar se Organizata Çopja ka qarkulluar nga nëntori i vitit 2019 deri ne mars të vitit 2021 jo më pak se 520.000.000 euro nga trafikimi i lëndës narkotike të llojit kokainë.
Në një nga bisedat Franc Copja zbulon se ka arritur të trafikojnë 12 ton kokaine ndërkohë që ‘ushtaret’ e tij nxirrnin pakot e drogës nga paletat me kuti boje.
“Puna ma e madhe në histori që ka hy i herësh në Europë, 12Ton 8,7 ka qen rekordi. Ka qen për 15 ton po si futa 3 ton. Thash ato i q…motrën fare erdhën jeshil…. U shplodhet nai cik..”
Në bisedat e zbardhura ka rezultuar se Ervis Çela i ofronte dhe armë të trafikuara nga paraguai Franc Copjas, pistoleta dhe armë të gjata te veçanta, me silenciator të prodhuara nga fabrika.
