Një deputet i njohur në Gjermani është përfshirë në një skandal të madh politik dhe ligjor, pasi ndaj tij kanë nisur hetime për shkelje të sanksioneve ndërkombëtare.
Bëhet fjalë për Joerg Dornau, 56 vjeç, biznesmen dhe deputet i partisë AfD në landin e Saksonisë. Sipas raportimit të gazetës gjermane Bild, ai është nxjerrë nga salla e debatit të parlamentit rajonal pasi deputetët votuan për heqjen e imunitetit parlamentar, duke i hapur rrugë hetimeve penale ndaj tij.
Prokurorët në Leipzig e akuzojnë Dornau se në vitin 2022 ka eksportuar një vinç automjetesh drejt Bjellorusisë, një vend aleat i Rusisë, ndërsa në dokumentet zyrtare destinacioni është deklaruar në mënyrë të rreme si Kazakistani.
Pas këtij dyshimi, autoritetet e doganës kanë kryer kontrolle në banesën dhe automjetet e deputetit, me qëllim sigurimin e provave që mund të përdoren në hetim.
Prokuroria bëri të ditur se kontrollet nuk do të përfshijnë ambientet e parlamentit ose zyrat e grupeve parlamentare.
Ndërkohë, grupi parlamentar i AfD në Saksoni reagoi duke deklaruar se nuk sheh arsye pse Dornau duhej të ndalohej menjëherë përpara një seance parlamentare, duke e cilësuar situatën si një ngjarje të “inskenuar për konsum mediatik”.
Sipas sanksioneve të Bashkimit Europian të vendosura pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, eksportet e pajisjeve industriale drejt Bjellorusisë janë të kufizuara ndjeshëm.
Deputeti kishte qenë më herët në qendër të kritikave, pasi në gusht të vitit të kaluar ishte gjobitur me mbi 20 mijë euro për mosdeklarimin e interesave financiare në një fermë qepësh që zotëronte në Bjellorusi.
