Mafia shqiptare ka zgjeruar ndjeshëm aktivitetin e saj në Romë, duke mos e përqendruar më veprimtarinë vetëm te trafiku i drogës. Në një artikull të gjatë të publikuar nga HuffPost Italia, shkruhet se, sipas hetimeve të autoriteteve italiane, rrjetet kriminale shqiptare kanë zgjeruar aktivitetin ekonomik, duke depërtuar edhe në sektorë të ekonomisë së ligjshme në disa zona të kryeqytetit italian.
Megjithatë për të kuptuar përmasat e këtij fenomeni, duhet nisur nga trafiku i narkotikëve. Prej vitesh, këto organizata kontrollojnë trafikun e drogës në shitjet me shumicë, kryesisht të marijuanës dhe kokainës, duke ua besuar shpesh shitjen me pakicë shpërndarësve marokenë dhe tunizianë, thuhet në artikull.
Një nga vështirësitë kryesore për autoritetet italiane është identifikimi dhe arrestimi i drejtuesve të këtyre organizatave, të cilët në shumë raste ndodhen në Shqipëri ose në vende të tjera. Ndërkohë, në Itali veprojnë bashkëpunëtorët e ngarkuar me shpërndarjen dhe menaxhimin e aktivitetit në terren.
“Ky është një model i ngjashëm me atë që mafia nigeriane përdor prej kohësh në trafikun e heroinës: përgjegjësit i mbajnë kontaktet nga jashtë vendit, ndërsa në rrugë veprojnë të ashtuquajturit njerëz të besuar, të ngarkuar me shitjen me pakicë. Për këtë arsye, operacionet më të rëndësishme zhvillohen shpesh jashtë Italisë”, nënvizohet në artikull.
Një rast i tillë u regjistrua në vitin 2026, kur policia shqiptare, në bashkëpunim me Interpolin, arrestoi në Tiranë një 46-vjeçar shqiptar, i cili ishte në kërkim që prej vitit 2022. Ai dyshohet se drejtonte një rrjet të përfshirë në importimin e kokainës, e destinuar kryesisht për tregun e drogës në Romë.
“Ky është një nga rastet e rralla të ndërhyrjeve të rëndësishme që godasin drejtuesit e grupeve kriminale shqiptare. Megjithatë, një arrestim i vetëm vështirë se mjafton. Ndërkohë që hetimet në Romë dhe në provincat përreth zhvillohen me intensitet, vazhdojnë të qarkullojnë sasi të mëdha droge, shpesh të lidhura me rrjete shqiptare”.
Sipas hetimeve italiane, aktiviteti i këtyre grupeve është veçanërisht i pranishëm në Ponte Milvio, Acilia, Castelli Romani, zonat bregdetare në jug të Romës, San Basilio dhe Tor Bella Monaca. Në këto territore, rrjetet shqiptare dyshohet se kanë krijuar lidhje të konsoliduara me tregun lokal të narkotikëve, veçanërisht me furnizimin me marijuanë dhe kokainë. Një pjesë e marijuanës, sipas hetimeve, kultivohet në Shqipëri dhe më pas transportohet drejt tregjeve të huaja.
Raportet më të fundit të Drejtorisë Hetimore Antimafia (DIA) dhe Drejtorisë së Antimafias së Rrethit të Romës (DDA) e përshkruajnë kriminalitetin shqiptar si një nga organizatat kriminale të huaja më të fuqishme dhe më të konsoliduara në territorin italian, të specializuar në trafikun e drogës dhe me aftësi të spikatura sipërmarrëse.
Këto organizata nuk funksionojnë domosdoshmërisht si një strukturë e vetme hierarkike, por si rrjete të përbëra nga grupe dhe familje të lidhura përmes marrëdhënieve të gjakut dhe besnikërisë familjare.
Pikërisht këto lidhje e bëjnë më të vështirë depërtimin e hetuesve në organizata, identifikimin e drejtuesve dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal. Krahas kësaj, përdorimi i platformave të komunikimit të enkriptuara dhe koordinimi nga jashtë Italisë e ndërlikojnë më tej punën e autoriteteve.
Një tjetër pengesë në goditjen e këtyre grupeve është edhe zgjerimi i aktivitetit të tyre të ligjshëm. Sipas medies, persona të lidhur me grupet kriminale shqiptare kanë investuar në Romë dhe në provincën përreth në lokale, bare, restorante dhe struktura turistike përgjatë bregdetit.
“Transferimet e parave mund të paraqiten krejtësisht të rregullta, për shembull kur kryhen përmes transfertave bankare nga Tirana. Megjithatë, hetimet kanë ngritur dyshime se pas disa prej këtyre transaksioneve fshihen para me origjinë kriminale, të cilat pastrohen përmes bizneseve dhe investimeve në pasuri të paluajtshme”, theksohet në HuffPost.
Drejtoria e Antimafias ka dokumentuar përdorimin e shoqërive tregtare fiktive ose të krijuara për të fshehur pronësinë reale të investimeve, përfshirë komplekse imobiliare, apartamente të destinuara për qira dhe aktivitete tregtare. Ky zhvillim përbën një rrezik të konsiderueshëm për ekonominë lokale, pasi kapitalet me origjinë të paligjshme mund të krijojnë konkurrencë të pandershme, të ndikojnë në treg dhe të mundësojnë zgjerimin e mëtejshëm të ndikimit kriminal.
Por nuk janë mjaftuar me kaq. Rrjetet shqiptare kanë shtrirë bashkëpunimet në Romë edhe me organizata famëkeqe.
“Në Romë, për më tepër, rrjetet shqiptare veprojnë krahas organizatave kriminale italiane me rrënjë historike, veçanërisht ’Ndrangheta-s dhe Camorra-s. Sipas DIA-s, me ’Ndrangheta-n ato kanë zhvilluar një partneritet të konsoliduar tregtar, të bazuar në interesin e ndërsjellë logjistik dhe në furnizimin me lëndë narkotike me çmime konkurruese”, shkruhet më tej në artikull.
Kjo tregon se bëhet fjalë për një fenomen që nuk kufizohet vetëm te grupet kriminale me origjinë shqiptare, por përfshin edhe marrëdhënie bashkëpunimi ndërkombëtar mes organizatave të ndryshme mafioze.
