Udhëheqësi i ri i Iranit plagoset? Media izraelite: Mojtaba Khamenei është gjallë
Autoritetet izraelite dyshojnë se Mojtaba Khamenei, djali i udhëheqësit suprem të vrarë të Iranit Ali Khamenei, është plagosur gjatë sulmeve të fundit, por besohet se është ende gjallë.
Sipas raportimit të Times of Israel, Mojtaba Khamenei, i cili së fundmi është zgjedhur Udhëheqësi i ri Suprem i Iranit, ka pësuar plagë, ndërsa gjendja e tij mbetet ende e paqartë.
Pas vrasjes së Ali Khameneit më 3 mars, Asambleja e Ekspertëve e Iranit vendosi që posti i udhëheqësit suprem t’i kalonte djalit të tij, Mojtaba Khamenei. Vendimi u mor nga 88 anëtarët e asamblesë, pas rekomandimit të Gardës Revolucionare.
Zgjedhja e tij erdhi në një moment tensionesh të mëdha, pasi selia e Asamblesë së Iranit ishte goditur më herët nga një sulm ajror i përbashkët izraelito-amerikan.
Ndërkohë, presidenti i SHBA-së Donald Trump deklaroi në një intervistë për Axios se përfshirja e tij në zgjedhjen e udhëheqjes së ardhshme të Iranit është e rëndësishme.
Trump kritikoi kandidaturën e Mojtaba Khameneit, duke e cilësuar atë si “të papranueshëm” për Uashingtonin. Sipas tij, nëse ai ndjek të njëjtat politika si babai i tij, kjo mund të çojë në një konflikt të ri me SHBA-në brenda pesë viteve.
