Në kaskadën e Drinit kanë nisur shkarkimet e kontrolluara të ujërave, si pasojë e rritjes së prurjeve nga reshjet intensive dhe nga niveli i lartë i rezervuarëve në HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës.
Lajmi është bërë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, i cili ka publikuar edhe pamje nga rrjedha e lumit Drin, duke theksuar se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përgjegjëse.
Sipas informacionit zyrtar, aktualisht nga dy hidrocentralet e kaskadës po kryhen shkarkime të kontrolluara në një volum prej rreth 700 m³/sekondë, përveç sasisë së ujit që përdoret për prodhimin e energjisë.
Procesi, siç bëhet me dije, është nën mbikëqyrjen e specialistëve të KESH dhe inxhinierëve të fushës, me qëllim mbajtjen nën kontroll të nivelit të ujërave dhe parandalimin e çdo situate të rrezikshme në zonat përreth.
Kryeministri nënvizon se Bashkia Shkodër ndodhet në komunikim dhe koordinim të pandërprerë me Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, si pjesë e planit të përbashkët për menaxhimin e situatës hidrologjike dhe minimizimin e çdo rreziku të mundshëm për territorin dhe komunitetet pranë lumit.
“Bashkia Shkodër është në koordinim të vazhdueshëm me KESH për menaxhimin e situatës dhe minimizimin e çdo rreziku të mundshëm për zonat e territorit të bashkisë.
Deri në këto momente nuk është evidentuar asnjë problematikë”, shkruan Rama, duke shtuar se situata do të vijojë të mbahet nën vëzhgim të rreptë edhe në orët në vijim.
Autoritetet u bëjnë apel banorëve në zonat pranë shtratit të lumit që të respektojnë udhëzimet zyrtare dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në afërsi të rrjedhës së ujit, ndërsa çdo zhvillim i mëtejshëm pritet të komunikohet në kohë reale nga institucionet përgjegjëse.
