Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, është dënuar me një vit burg.
Sipas asaj që raporton Anila Hoxha, GJKKO ka refuzuar kërkesën e Memollës për konvertim të masës.
Në komunikatë shkruhet:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja (kryesues), Daniela Shirka (anëtare) dhe Igerta Hysi (anëtare), sot më 09.02.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 5/70 akti, datë 14.11.2025 regjistrimi, mbi ankimet e të pandehurve B.Xh., I.T., E.M., N.T., ndaj vendimit nr. 41, datë 17.06.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, disponuar si vijon:
- Deklarimin fajtor të të pandehurit E.M. për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
- Dënimi të fillojë nga dita e ekzekutimit të vendimit penal dhe të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
- Në zbatim të nenit 35 të K.Penal, heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin E.M. për një periudhë 5 (pesë) vjeçare.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit N.T. për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328 të K.Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
- Dënimi të fillojë nga dita e ekzekutimit të vendimit penal dhe të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit B.Xh. për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit B.Xh., për kryerjen e veprës penale “ Falsifikimit të dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186, paragrafi dytë të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 8 (tetë) muaj burgim.
- Në bashkim të dënimeve, në zbatim të nenit 55 të K.Penal, dënimin përfundimisht të të pandehurit B.Xh. me 1 (një) vit burgim.
- Dënimi të fillojë nga dita e ekzekutimit të vendimit penal dhe të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit I.T., për kryerjen e veprës penale “ Falsifikimit të dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186, paragrafi dytë të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 8 (tetë) muaj burgim.
- Në aplikim të nenit 59 të K.Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim për të pandehurin I.T. dhe vënien e tij në provë për një periudhë prej 1 (një) vit e 4 (katër) muaj, me kusht që gjatë kohës së provës i pandehuri të mos kryejë vepër tjetër penale dhe gjatë kësaj kohe i pandehuri detyrohet të mbajë kontakte me Drejtorinë e Shërbimit të Provës që mbulon vendbanimin e tij.
- Në zbatim të nenit 190, pika 1 të K.Pr.Penale, provat materiale sipas urdhërit për bashkimin e provës materiale me fashikullin e gjykimit të datës 27.10.2023, konkretisht aparatet celularë të sekuestruar shtetasve B.Xh. dhe H.D. t’u kthehen këtyre të fundit, ndërsa provat e tjera materiale të mbeten pjesë e dosjes.
- Shpenzimet procedurale gjatë fazës hetimore si dhe shpenzimet gjyqësore, sipas formularit bashkëlidhur, në ngarkim të të pandehurve në mënyrë solidare.
- Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi të arsyetuar.”
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
- Lënien në fuqi të vendimit nr. 8, datë 24.01.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
- Shpenzimet procedurale u ngarkohen solidarisht të pandehurve.
- Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet rekurs brenda 45 ditëve në Gjykatën e Lartë, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
U shpall në Tiranë, më datë 09.02.2026.
