Një aksident i rëndë rrugor me pasojë vdekje është regjistruar mbrëmjen e sotme në rrethin e Tepelenës, duke tronditur banorët e zonës.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip furgon është përmbysur në një nga kthesat e rrezikshme të rrugës që të çon drejt fshatit Salari, në Njësinë Administrative Kurvelesh, Bashkia Tepelenë. Ngjarja ka ndodhur në aksin rural Tepelenë–Lopës, një segment i njohur për terrenin e vështirë dhe kthesat e forta.
Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën drejtuesi i mjetit, shtetasi Arjan Ç., i cili ka ndërruar jetë në vendngjarje për shkak të plagëve të rënda të marra nga përmbysja e automjetit.
Deri në këto momente, nuk dihen ende shkaqet dhe rrethanat e sakta që çuan në aksident, si dhe nuk është konfirmuar nëse në furgon ndodheshin edhe persona të tjerë në momentin e ngjarjes.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore dhe grupi hetimor, të cilët po kryejnë veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të dinamikës së aksidentit. Hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse ngjarja ka ardhur si pasojë e shpejtësisë, kushteve të rrugës apo faktorëve të tjerë.
