Buxheti i shtetit për vitin 2026 pritet të pësojë një tjetër ndryshim përmes një akti normativ, ndërsa qeveria po përgatit rishpërndarjen e fondeve buxhetore dhe një paketë mbështetjeje financiare për pensionistët dhe kategoritë në nevojë, në prag të festave të fundvitit.
Burime për Ekofin.al bëjnë të ditur se qeveria është duke përgatitur ndërhyrjen e radhës në buxhetin e këtij viti, që do të realizohet ose përpara festave të nëntorit, ose në ditët e para të dhjetorit. Ndryshimet do të synojnë të rialokojnë fondet e pashpenzuara, në një kohë kur të dhënat më të fundit të financave publike, deri në fund të muajit shtator, tregojnë një nivel të lartë suficiti buxhetor.
Kjo situatë lidhet me faktin se një pjesë e fondeve të planifikuara për shpenzime gjatë vitit nuk janë përdorur sipas ritmit të parashikuar, duke krijuar hapësira për rishpërndarjen e tyre drejt zërave të tjerë buxhetorë.
Ndryshimi i pritshëm me akt normativ do t’i japë mundësi qeverisë të rishikojë shpërndarjen e fondeve në javët e fundit të vitit, duke orientuar një pjesë të burimeve financiare drejt mbështetjes sociale.
