Skip to content

Buxheti 2027/ Muçollari: Rama u mbledh paratë qytetarëve, asnjë shërbim nuk u ofron

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari është shprehur rreth buxhetit 2027.

“Shteti jua mbledh këto para, jua merr paratë, por ama shërbimet që ai duhet të ofronte, duke filluar nga arsimi, shëndetësia e për të mos folur më pas për mënyrën se si i transferon këto para në ekonomi për t’i shpërndarë, nuk ekzistojnë.”, tha Muçollari.

Në një intervistë për “Syri TV”, Muçollari ka akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama, për rëndim të shtresës së mesme shqiptare, e cila po “mbytet” prej taksave të reja, të njëpasnjëshme.

“Atëherë, pse ne po shkojmë dhe po rrisim taksat për një shtresë aq jetike për ekonominë dhe për shoqërinë në vetvete, që është dhe shtresa e mesme?

Që do të thotë që me paketën e re fiskale, profesionistët e lirë, ose ndryshe mund të jenë mendja e vendit, do të taksohen më shumë, do të paguajnë më shumë para, të cilave nuk u dihet destinacioni.”, nënvizoi Muçollari.

Ai komentoi dhe protestat e vazhdueshme të mbajtura në Tiranë, të cilat i sheh si dëshmi të frymës kundërshtare të qytetarëve, të cilët janë kthyer me opozitën për të rrëzuar Ramën, sipas Muçollarit.

“Dhe jo më kot protesta qytetare vazhdon dhe sot e kësaj dite dhe jo më kot shoqëria në tërësi është kthyer opozitare.

Opozicioni sot është kthyer në një element që mbizotëron shoqërinë, qofshin këta njerëz me Partinë Demokratike apo partitë e tjera opozitare, apo grupime interesi, mbase nuk do të donin asnjërën nga partitë aktualisht që janë partitë parlamentare.

Opozicioni sot është i nevojshëm më shumë se kurrë”, shtoi Muçollari./ CNA

Published inLAJMI