Një konflikt mes të afërmve ka përfunduar në përplasje të përgjakshme me thika në lagjen Fatih të Stambollit, Turqi. Shkak për sherrin dyshohet të jetë bërë një borxh mes personave të përfshirë, të cilët sipas mediave turke janë kushërinj.
Ngjarja ndodhi të enjten, ndërsa pamjet e publikuara tregojnë një burrë duke u larguar me vrap, teksa ndiqet nga pesë persona të armatosur me thika.
Në një moment, njëri prej tyre e godet me një helmetë, ndërsa një tjetër i drejtohet me thikë. Pak sekonda më vonë, konflikti përshkallëzohet dhe sulmi bëhet edhe më i dhunshëm.
Sipas mediave turke, veçanërisht Habertürk, personi i ndjekur ka marrë plagë me thikë në gjoks, shpinë dhe ije. Edhe një prej personave që e sulmuan ka mbetur i plagosur me thikë në këmbë.
Hetimet kanë zbuluar se konflikti mes kushërinjve nuk ishte i ri. Ata dyshohet se ishin përplasur fizikisht edhe më 1 korrik të këtij viti, për të njëjtin shkak, ndërsa borxhi mes tyre duket se ka rikthyer përplasjen në episode dhune./vizionplus.tv
