Imami Ahmed Kalaja zbulon detaje nga jeta personale: Jam baba i 10 fëmijëve, deri te i teti jetonim në 90 m²
Imami i njohur dhe shumë aktiv në rrjetet sociale, Ahmed Kalaja, ka rrëfyer disa detaje nga jeta e tij personale dhe familjare gjatë një interviste në emisionin “Goca & Gra”.
Ai tregoi se është babai i 10 fëmijëve, ndërsa ndau edhe disa nga vështirësitë që ka kaluar gjatë viteve.
Duke folur për çiftet e reja që shpesh hezitojnë të bëjnë fëmijë për shkak të vështirësive ekonomike, Kalaja tha se për shumë vite familja e tij ka jetuar në kushte modeste.
Sipas tij, deri në momentin kur lindi fëmija i tetë, familja jetonte në një shtëpi prej vetëm 90 metrash katrorë, ndërsa më pas situata e tyre filloi të përmirësohej.
Imami tregoi gjithashtu se fëmija i tij më i madh është një vajzë 26-vjeçare, e cila e ka bërë edhe gjysh, ndërsa fëmija më i vogël është vetëm 4 vjeç.
Gjatë intervistës u fol edhe për popullaritetin e tij në rrjetet sociale. I pyetur nëse merr mesazhe nga gra, Kalaja zbuloi se një rast kishte shkuar deri në polici.
“Aq keq u bë situata sa e denoncova në polici”, u shpreh ai, duke treguar se një grua e kishte përndjekur vazhdimisht me mesazhe në rrjetet sociale.
