Është ndarë nga jeta Afërdita Salillari, bashkëshortja e biznesmenit të njohur të ndërtimit në Shqipëri, Pëllumb Salillari. Lajmi është bërë i ditur nga familja dhe kompania e tyre përmes një mesazhi mortor drejtuar miqve dhe të afërmve.
Në njoftimin e publikuar thuhet:
“Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të së nderuarës Znj. Afërdita Salillari. Pritja mortore do të zhvillohet në shtëpinë funerale Alba2000, në Rrugën e Durrësit dhe ceremonia e varrimit do të mbahet ditën e mërkurë, 4 mars, ora 11:00, në varrezat e Sharrës.”
Afërdita dhe bashkëshorti i saj, Pëllumb Salillari, prej vitesh kanë qenë të përfshirë në sektorin e ndërtimit të objekteve infrastrukturore dhe civile në Shqipëri përmes kompanive “Salillari” dhe “Bervi Construction”.
Nga martesa e tyre, çifti kanë dy djem, Besmirin dhe Ervisin.
Familja Salillari u ka bërë thirrje miqve, të afërmve dhe të gjithë njohurve që të bashkohen në ceremoninë mortore për t’i dhënë lamtumirën e fundit Afërdita Salillarit.
